Politike

Negociatat për grupkapitullin VI, Rama nga Brukseli: Shpresojmë që anëtarësimi jonë të mbyllet brenda kësaj dekade. S’ka kapituj të lehtë

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama, në konferencën e tretë ndërqeveritare në Bruksel, deklaroi se ambicia e qeverisë është të bëjë “detyrat e shtëpisë” dhe negociatat të mbyllen në vitin 2027, në mënyrë që anëtarësimi të mbyllet brenda kësaj dekade.

“Përshpejtimi i hapave është së pari meritë e qeverisë hungareze, që e ka të qartë ambicien për mbështetjen e zgjerimit të Bashkimit Europian.

Së dyti, kjo nuk kishte si të ndodhte pa mbështjetjen e plotë të shteteve anëtare. Nuk ka dyshim për ne se një Europë me Ballkanin Perëndimor të integruar do të jetë më e bashkuar dhe më e sigurtë. Ambicia jonë dihet, ne duam të bëjmë detyrat tona dhe negociatat tona të mbyllen në vitin 2027. Shpresojmë që anëtarësimi jonë të mbyllet brenda kësaj dekade.

Është qëllim ambicioz, të cilin e kemi ndarë edhe me Komisionin. Është thelbësore për ne që mos të harrojmë dhe të mos nënvlerësojmë parimin e anëtarësimit në bazë të meritave. Kjo do të na ndihmojë të bëjmë detyrat tona të shtëpisë”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Ai shtoi se tani sipas tij jemi në momentin më të mirë të historisë tonë dhe që gjithashtu dhe Europa dhe BE-ja janë në momentin më të mirë për të kuptuar sesa vendet e Ballkanit Perëndimor janë të rëndësishme për të ardhmen e saj.

 “Ndaj besoj se të gjithë ne ta bëjmë Shqipërinë, Evropën e Ballkanit Perëndimor, pasi jemi të mirë pozicionuar për ta bërë këtë. Ne jemi të përkushtuar të shohim me sytë e së ardhmes dhe jo të së shkuarës.

Them me bindjen qe ne jemi në momentin më të mirë të historisë sonë. Evropa dhe BE është në momentin për të kuptuar sa ne vendet e Ballkanit jemi të rëndësishëm. Ndaj me ju me shumë sinqeritet që ky moment ka mbyllur diçka që ne kemi filluar ta dyshonim. Tashmë BE ka një zemër dhe ne e kemi dëshmuar, nuk është aq e madhe, por është një fakt që është aty, që pulson dhe jeton”, tha ndër të tjera Rama.

I pyetur nga gazetarët, Rama tha se nuk ka asnjë kapitull apo paragraf të lehtë me BE, ndërsa theksoi edhe njëherë synimin për të hapur të gjithë grupkapitujt brenda vitit 2025.

“Nuk ka kapitull apo ndonjë paragraf që është i lehtë me BE, çdo gjë duhet të kalojë në një shqyrtim të hollësishëm, me një bashkëpunim të ngushtë dhe nëpërmjet dialogut të përbashkët dhe mirëkuptimit, ne presim siç e kam thënë që t’i hapim grupkapitujt, por në të njëjtën kohë s’po  gënjejmë veten se kjo ka për të qenë punë e vështirë dhe ne duhet të përmirësojmë çdo hap.”

Çelja e negociatave për klasterin 6 përfshin dy kapituj:

Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e jashtme

Kapitulli 31 – Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë