Politike

Negociatat, PD: Rama, i fundit që duhet të gëzojë! Anëtarësimin e përmbyllim ne

Partia Demokratike ka reaguar përmes nënkryetarit të saj, Luçiano Boçi në lidhje me deklaratat e Kryeministrit Edi Rama, që tha gjatë ceremonisë së ngritjes së flamurit të BE-së në Kryeministri se ‘një pjesë e opozitës përfaqëson antivlerat e BE-së’.

Rama nuk e përmendi në emër, por referimi është i qartë; Sali Berisha.

Boçi thotë në deklaratë se sot me të drejtë duhet të gëzohen e festojnë të gjithë shqiptarët, por se Edi Rama është i fundit që duhet ta bëjë këtë.

“Bashkimi Europian fatmirësisht nuk u dorëzua dhe nuk e anashkaloi Ballkanin Perëndimor në rrugën e integrimit, duke na e zgjatur dorën dhe atëherë kur paturpësisht ata që sot hapin shampanjën, e refuzonin me pretekste të ulëta, duke na mbajtur peng për 10 vjet në rrugën drejtë të BE-së. Sot e drejta për të festuar është legjitime për çdo shqiptar. Por kjo e drejtë nuk duhet t’i takojë Edi Ramës. Për shkak të mbushjes së parlamentit me kriminelë, kanabizimit të vendit dhe një qeverisjeje të zhytur në korrupsion, Shqipërisë në dekadën e fundit iu mohua 5 herë e drejta për të çelur negociatat!”, thotë Boçi.

Sipas Boçit, Rama nuk e ka dashur për asnjë ditë hapjen e negociatave, sepse e di që nga kjo do t’i ngushtohet laku përballë marrëzive politike në dëm të shqiptarëve.

Deklarata mbyllet me zotimin se do të jetë Partia Demokratike ajo që do të përmbyllë anëtarësimin e plotë të vendit në union.

“Dua të siguroj çdo skeptik ndaj këtij rrugëtimi, se Partia Demokratike, forca që e nisi transformimin e vendit dhe çeli proceset më të rëndësishme politike në vend, do ta përmbyllë edhe këtë hap drejt anëtarësimit të plotë të vendit në Bashkimin Europian”, thotë nënkryetari i PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë