Sipas metodologjisë së re të zgjerimit, procesi i negociatave hapet me kapitujt që kanë të bëjnë me shtetin ligjor, sundimin e ligjit dhe të sistemit të drejtësisë dhe në këtë pjesë, BE pritet që të kërkojë ndëshkime konkrete ndaj ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve që janë larguar nga vettingu për mosjustifikim pasurie.
“Negociatat nisin me tufën e kapitujve që kanë të bëjnë me shtetin ligjor. Këtu përfshihet edhe gjyqësori dhe BE nuk do të tërhiqet në rastet kur ka prova dhe raste që duhen zgjidhur…dhe këto duhen zgjidhur”, deklaroi Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi.
Komisioneri foli në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama. Edhe kreu i Qeverisë iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse do të kërkohen ndëshkime të ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve të larguar nga vettingu.
“Kërkesa për të hapur procese dhe për të ndëshkuar gjykatës dhe prokurorë që janë përjashtuar nga vettingu për pasuri marramendëse të pajustifikuara është kërkesë e kahershme e BE dhe është kërkesë e natyrshme, që në këtë rast është në sinkron të plotë me kërkesën e natyrshme të popullit shqiptar që mbështeti fuqimisht reformën në drejtësi”, deklaroi Rama.
Komisioneri Varhelyi nuk dha afate se kur mund të përmbyllen negociatat dhe Shqipëria të anëtarësohet.
“Kur të shohim që Shqipëria është gati, që ecën më shpejt, ne si Komision do të lëvizim më shpejt”, deklaroi Oliver Varhelyi.
Në këtë konferencë, Kryeministri Rama u pyet për mungesën e një përfaqësuesi të opozitës në delegacionin e Shqipërisë. Ai tha se formati është përcaktuar nga KE, ndërsa shtoi se në Tiranë nuk dihet se kush është opozita, duke iu referuar përplasjes së brendshme në PD.
“Në një format të përcaktuar nga Komisioni për të gjithë trupën që do të përfaqësonte Shqipërinë në tryezë, ne mund të kishim kërkuar një ndryshim për të ftuar një, apo më shumë se një përfaqësues nga ana e opozitës, por kemi një problem që nuk është problem i Brukselit dhe nuk duhet trajtuar në Bruksel, që ne nuk dimë se kush është kush në anën e opozitës”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.