Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i opozitës Sali Berisha deklaroi se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është bllokuar, duke akuzuar qeverinë për pengimin e progresit në rrugën drejt anëtarësimit.
Gjatë një konference për mediat, ai theksoi se raporti i rëndësishëm IBAR, që vlerëson standardet në sundimin e ligjit, sistemin gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit, nuk është miratuar për Shqipërinë nga vendet anëtare të BE-së.
Sipas Berishës, mungesa e miratimit unanim të këtij raporti pengon hapjen dhe mbylljen e kapitujve kyç të negociatave, konkretisht kapitujt 23 dhe 24, duke e lënë vendin në “vendnumëro” në procesin e integrimit. Ai fajësoi kryeministrin Edi Rama për këtë situatë, duke pretenduar se vendimet e tij politike kanë ndikuar drejtpërdrejt në qëndrimin e disa vendeve anëtare të BE-së.
“Ky vendim detyroi një numër vendesh anëtare të BE që të bllokojnë raportin më të rëndësishëm, de facto progresin drejt integrimit.
Raporti IBAR, apo raporti mbi vlerësimin e përkohshëm të standardeve, në të cilin vlerësohet përparimi në sundimin e ligjit, në sistemin gjyqësor, në luftën kundër korrupsionit, në dy kapitujt më themelorë të procesit të integrimit, kapitujt 23 dhe 24, në rastin e Shqipërisë, mbeti në klasë.
Për ata të cilët bëjnë fjalë se procesi vazhdon, mund të informoj çdo shqiptar se derisa vendet anëtare të BE të mos e miratojnë në mënyrë unanime raportin IBAR, Shqipëria nuk do mund të ecë përpara në mbylljen e kapitujve.
Kjo është e vërteta. Pra, Shqipëria është e bllokuar, është në vendnumëro, nuk ecën dot përpara. Dhe ky raport është unanim, do miratim unanim. Pra, shqiptarët ta kenë të qartë se Edi Rama me vendimin që mori për të mbrojtur veten e tij duke bllokuar me parlament arrestimin e Ballukut, bllokoi de facto procesin e integrimit në BE. Bëj këtë sqarim për mediat, me lutjen që ta përcjellin në mënyrë korrekte”, tha kreu i opozitës.
Ai bëri krahasim me Mali i Zi, për të cilin tha se ka marrë vlerësim pozitiv në raportin IBAR, duke theksuar diferencën në ecurinë e dy vendeve drejt integrimit evropian. Ai shtoi se nuk ekziston një model anëtarësimi “i dorës së dytë” në BE dhe se çdo përpjekje në këtë drejtim është e pabazë në kuadrin ligjor evropian.
“Janë disa vende, jo një vend, që kundërshtojnë në mënyrë të prerë pas vendimit të Edi Ramës për të asgjësuar sistemin e drejtësisë. Të marrim përpjekjet e Edi Ramës për të hequr dorë dhe për t’u anëtarësuar si vend anëtar i dorës së dytë jo me të drejta të plota në BE. Dhe këtu, shqiptarët duhet ta dinë se në BE nuk ekzistojnë anëtarë të dorës së parë dhe të dytë. Sigurisht janë vendet kryesore që kanë peshën më të madhe, por e vërteta është se këto, në tryezën e vendimeve, ulen si të barabarta të gjitha vendet dhe asnjë nuk ulet si i dorës së parë apo dorës së dytë. Për BE-në, nuk ekziston kuadër ligjor për anëtarësime të dorës së dytë. Dhe për t’u miratuar ky kuadër ligjor, duhet të votojnë të gjitha vendet. Pra, përpjekja Rama-Vuçiç është thjesht një përpjekje e turpshme për të cilën ata dëshmuan se janë të gatshëm të sakrifikojnë interesa kombëtare, dinjitetin kombëtar për pushtetin e tyre.
Dhe nuk ka pothuajse asnjë mundësi të pranohet si alternativë. Nuk ekziston kuadër ligjor. Por në rast se do ekzistonte një kuadër ligjor, Edi Rama mendon se me drejtësinë e kontrolluar prej tij, ai mund të përfitonte anëtarësimin si vend i dorës së dytë. Jo absolutisht”, përfundoi Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje