Analize

Negociatat, Bundestagu tryezë për Shqipërinë, Hahn: “Pa peshq të mëdhenj” ndërpriten

Janë vërejtur pak dallime mes partivë të koalicionit qeverisës gjerman në lidhje më hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, gjatë një tryezë të rrumbullakët të mbajtur në Berlin.

Ministri i Shtetit për Çështje Evropiane, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth, ashtu sic u shpreh edhe gjatë takimeve në Shqipëri, mbështet hapjen e shpejtë të negociatave me Shqipërinë, por edhe me Maqedoninë fqinje. Roth përmendi një sërë zhvillimesh pozitive në vendin tonë, që sipas tij duhen shpërblyer.

“Në krye të arritjeve është procesi i rivlerësimit të gjyqësorit, i njohur si vetting-u, që duhet të konsiderohet model për rajonin” – u shpreh Michael Roth.

Deputeti i të Gjelbërve gjermanë, Manuel Sarrazin u shpreh “Momenti aktual është shumë i përshtatshëm, nëse negociata nuk hapen tani, do të ketë një periudhë pauze të gjatë. Mekanizmi i perspektivës europiane është i vetmi mjet efektiv për reformat dhe ngritjen e instiucioneve demokratike”.

I vetmi që e shihte pak më ndryshe gjendjen në Shqipëri, është Thorsten Frei, raportuesi për Shqipërinë në grupin parlamentar CDU/CSU.  Frei tha se rezulatet e Vetting-ut nuk mund të shihen ende, pasi deri tani ka pasur vetëm pesë procese. Deputeti gjerman, Thorsten Frei përmendi edhe tema të tjera, që ende nuk po zgjidhen, siç është reforma zgjedhore dhe lufta kundër krimit të organizuar: "Janë bërë përparime në luftimin e kultivimit të drogës, por jo në tregtinë me të” – vëreu Frei. Grupi parlamentar i tij do të vendosë së bashku me  partinë tjetër të koalicionit SPD, një pozicion deri në qershor, me të cilin do të prezantohet kancelarja gjermane në samitin e Brukselit, në fund të qershorit.

Një mbështetje tjetër për negociatat erdhi edhe nga ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, e cila vlerësoi procesin e reformës gjyqësore, të cilën ajo e quajti një proces shumë të guximshëm, për të cilin Shqipërisë iu desh të ndryshonte një të tretën e kushtetutës dhe kujtoi ndër të tjera se integrimi i Shqipërisë në procesin e negociatave do të jetë një faktor stabilizimi në rajon, nisur nga fakti që "shqiptarët etnikë jetojnë në pesë prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Në të njëjtën vijë ka qenë edhe Komisioneri për Zgjerimin e BE, Johannes Hahn. Në një intervistë për të përditshmen gjermane Stuttgarter-Zeitung, Hanh u shpreh se nuk rekomandimi për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë nuk ishte i nxituar, por lëshoi edhe një paralajmërim “Pa peshq të mëdhenj, mund të ndërpriten negociatat”.

“Unë mund ta kuptoj skepticizmin, por gjithashtu nuk them se Shqipëria dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë janë tashmë të gatshme për pranim. Megjithatë, reformat e nevojshme mund të realizohen gjatë procesit të pranimit. Merrni shembullin e korrupsionit. Nga pikëpamja ligjore, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një situatë ligjore që është e krahasueshme me tonat. Por, në bisedimet e pranimit, i kushtojmë vëmendje faktit se ligjet zbatohen, se rastet e korrupsionit dalin para drejtësisë dhe peshqit e mëdhenj nuk kursehen. Pa progres në këtë drejtim, ne mund të ndërpresim negociatat. Sidoqoftë, ne mund të kapërcejmë gjendjen akoma të pakënaqshme të sistemeve ligjore në Shqipëri dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë kur të fillojmë bisedimet e pranimit”, ka deklaruar ai në prag të Samitit të Sofjes për Ballkanin Perëndimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë