Nga Gazeta Si- Dy mjekë gjinekologë janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Tiranës pasi akuzohen se kanë kryer veprime të pakujdesshme që i kanë marrë jetën një foshnje të porsalindur.
E.V., dhe A.H., gjinekologë të Maternitetit ‘Koço Gliozheni’, akuzohen për ‘Neglizhenca në trajtimin mjekësor’.
Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe nga aktet e ekspertimit doli qartë se vdekja e foshnjës erdhi si rezultat i dëmtimeve të rënda gjatë lindjes, të shkaktuara nga përdorimi i forcepsit, një mjet që përdoret zakonisht në lindjet e vështira, kur lindja natyrale nuk përparon ose kur është tepër vonë për ndërhyrje kirurgjikale.
Sipas aktit të ekspertizës mjeko-ligjore, dëmtimet që çuan në shok traumatik hemorragjik të foshnjës, nuk janë pasojë e një komplikacioni të paparashikueshëm, por rrjedhojë direkte e mungesës së ndërhyrjes në kohë, që do të kishte shmangur përdorimin e forcepsit nëse lindja do të ishte bërë me seksio cezarian, siç ishte planifikuar paraprakisht.
“Mosveprimi i të pandehurve, mjekes që u kujdes në procesin e shtatzënisë si dhe mjekut roje të gatshëm, kanë qenë faktori vendimtar që çuan në zhvillimin e një procesi të rrezikshëm të lindjes, i cili përfundoi me humbjen tragjike të jetës së një fëmije të sapolindur”, njofton prokuroria.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



