Sulmuesi i Kombëtares, Armando Sadiku, do të kthehet në Zvicër. Ai është ende në fazën e riaftësimit, pas operacionit të kryer në muajin gusht, por kuptohet që i duhet të luajë sa më shumë për të rifituar formën e duhur sportive dhe për të qenë gati për kuqezinjtë në eliminatoret e Euro 2020.
Dhe ku më mirë se te Lugano mund ta bëjë një gjë të tillë? Në Zvicër e bëjnë thuajse të sigurt rikthimin e Sadikut tek ekipi, ku ka kaluar momentin më të mirë të karrierës. Futbollisti elbasanas shkëlqeu me fanellën e Luganos në fillim të vitit 2017. Nuk ka ende një konfirmim zyrtar nga drejtuesit e Luganos, por shtypi sportiv zviceran shkruan se ka një akord që Sadiku të luajë në vazhdim të sezonit me këtë ekip. Ai e njeh shumë mirë ambientin dhe të dyja palët do të ndihmonin njëra-tjetrën, të paktën për disa muaj. Duke luajtur rregullisht, sulmuesi kuqezi do të rehabilitohej plotësisht dhe njëkohësisht do ta ndihmonte Luganon me golat e tij.

Për momentin nuk është e qartë, nëse Sadiku do të lërë përfundimisht Levanten për të kaluar në Zvicër, apo do të kalojë në formë huazimi te Lugano deri në fund të sezonit. Lugano ka shanse për të qenë në Kupat e Europës, edhe pse aktualisht mban vendin e 8-të në kampionatin zviceran. Trajnerit Kristian Panuçi i intereson që Sadiku të luajë rregullisht në vitin 2019, që në mars të ketë të gatshëm për ndeshjet e para në grup.

Sulmuesi është aktualisht në fazën e fundit të rikuperimit nga dëmtimi që e ka mbajtur jashtë fushave për një kohë të gjatë. Mungesën e tij e ka vuajtur jo pak kombëtarja kuqezi.
Pas largimit nga Zvicra, Sadiku ka provuar kampionatin polak, ku veshi fanellën e Legias së Varshavës, si dhe kampionatin spanjoll, me Levanten, por në asnjë moment nuk ka treguar vlerat e tij më të mira me këto dy skuadra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




