Ngjarje

Në zemër të Wuhanit, ku Kina po fsheh origjinën e Covid-19

Rreth orës një të mëngjesit më 31 dhjetor Lu Junqing u zgjua nga një telefonatë nga shefi i punës së tij të një kompanie lokale dezifektimi. “Merr një ekip dhe nisu për në tregun Huanan e merr me vete pajisjet më të mira dezifektuese”, i tha ai.

Zoti Lu e njihte tregun, me nje labirint tezgash e dyqanesh të ndryshme afër stacionit hekurudhor. Por ai nuk e priste se ky vend do të përbënte burimin e dyshuar të një sëmundjeje misterioze që do të përhapej më tej në qytet e në botë me emrin si covid-19.

Kur ai arriti atje policët e zyrtarët e tjerë e drejtuan atë në një zonë të tregut që ishte i mbushur me kafshë të egra të cilat shiteshin për mish apo mjekësi tradicionale. “Atje kishte kërma të mbetura nga kafshët e ngordhura si dhe kafshë të gjalla të mbyllura nëpër kafazë si gjarpërinj, qenë, lepuj etj”, shprehet ai

Teksa ekipi i tij nisi të dezifektonte, zyrtarët nisën të merrnin provëza nga tezgat, nga kanalet e ujrave të zeza që ishin poshtë tregut dhe nga produktet që shiteshin. Zoti Lu shprehet se zyrtarët e ndryshëm nisën ta ndihmonin ekipin e zotit Lu me kafshët e ngordhura, me marrjen e feçeve dhe lëkurave të mbetura të kafshëve e mbylljen e tyre në qese plastike.

Më shumë se katër muaj më vonë, zyrtarët kineze akoma nuk kanë ndarë me botën ndonjë informacion përsa i përket kafshëve që zoti Lu dhe ekipi i tij morën si provëza. Pekini tani duket sikur po përpiqet të vonojë përpjekjet e zyrtarëve ndërkombëtarë për të gjetur burimin e virusit e veçanërisht tani në këtë kohë ku ShBA po përshkallëzon akuzat e Kinës si fajtore në lindjen e kësaj pandemie.

Lu Junqing i Kompanisë së Dezinfektimit Jiangwei teston pajisjet në zyrën e tij në Wuhan. FOTO: JEREMY PAGE/THE WALL STREET JOURNAL

Mungesa e transparencës dhe e përfshirjes së ndërkombëtarëve në këtë kërkim ka lënë shumë spekullime dhe fajësime. Ndërkohë ekspertët e shëndetësisë dhe zyrtarët e ndryshëm shprehen se gjetja e burimit do të jetë çelësi në parandalimin e këtij virusi të kapërcejë përsëri nga kafshët tek njerëzit duke lëshuar kështu një valë të dytë infektimi.

Në janar Agjencia Kineze e Kontrollit të Sëmundjeve dyshonte se virusi kishte ardhur nga një kafshë e egër në tregun Huanan dhe se identifikimi i kafshës ishte thjesht një çështje kohë.

Marrdhëniet Kinë – ShBA janë përkeqësuar teksa secila palë ka nxjerrë akuza mbi origjinën e virusit. Zyrtarët kinezë kanë sugjeruar, pa prezantim provash, se shpërthimi ka ardhur si rezultat i ushtarëve amerikanë që kanë vizituar Wuhanin për një event sportiv.  Ndërkohë Washingtoni e refuzon dhe shumë shkencëtarë e konsiderojnë të pabazë këtë akuzë.

Presidenti Trump dhe administrata e tij kanë hedhur akuzat se virusi ka shpëtuar padashje nga njëri prej dy laboratorëve të Wuhanit që merreshin me eksperimente mbi koronavirusët te lakuriqët e natës, por dhe këta ndërkohë nuk kanë shfaqur evidenca për ta mbështetur këtë akuzë. Pekini dhe laboratorët e Wuhanit e refuzojnë këtë akuzë dhe shumë shkencëtarë të huaj të familjarizuar me eksperimentet që zhvillohen aty e dyshojnë që virusi të ketë dalë nga ata laboratorë padashje.

Komisioni Kombëtar i Kinës i Shëndetit nuk iu përgjigj në mënyrë direkte pyetjeve të detajuara mbi kërkimin e origjinës së virusit, por la të nënkuptohej se kjo gjë i duhet lënë në dorë shkencëtarëve.

Policia dhe rojet e sigurisë qëndrojnë jashtë tregut Huanan më 24 janar. FOTO: HECTOR RETAMAL/AGENCE FRANCE-PRESSE/GETTY IMAGES

Kina nuk është vendi i parë që i ka bërë rezistencë një investigimi ndërkombëtar përsa i përket një krize shëndetësore. Ekspertët e shëndetit shprehen se Kina kishte mësuar prej SARS të 2003-shit se në këto raste duheshe fillimisht të mbyllej tregu i kafshëve të egra, në të cilin mëndohet se ka buruar virusi, e kështu ka vepruar shumë mirë.

Por ama Kina gjer më tani ka bërë publike veçse sekuencat gjenetike të provëzave të mbledhura nga mjedisi e jo materialet direkte të provëzave sipas kërkuesve të huaj e kinezë. Ka pastaj të tjerë që aludojnë se provëzat e marra nga kafshët janë shkatërruar më pas.

Zyrtarët kinezë shprehen se janë duke gjurmuar furnitorët e kafshëve të egra të tregut, por gjer më tani nuk kanë publikuar ndonjë informacion. Krahas kësaj Kina e ka bërë të vështirë për zyrtarët e agjencive ndërkombëtare për të marrë më tepër informacione mbi këta furnitorë.

OBSh ndëkohë është shprehur disa herë në njoftime për shtypin se është përpjekur të marrë një informacion nga institucionet kineze përsa i përket hartës epidemiologjike të tregut me detaje se cilat kafshë ndodheshin aty e në cilat vende të tregut dhe cilët pacientë kanë vajtur tek cilat seksione të tregut.
“Informacioni për këto investigime është esencial për shëndetin e publikut si dhe mund të mbajë çelësin e parandalimit të këtyre lloje virusesh tek njerëzit”, shprehet OBSh-ja.

Organizata e Ushqimeve dhe Agrikulturës, një institucion i OKB-së që po përpiqet të ndihmojë me koordinimin e kërkimeve mbi origjinën e virusit, është përpjekur të bashkohet me Kinën prej javesh në këtë mision por pa sukses, sipas njerëzve familiar me bisedat.

Aleanca EcoHealth një OJF me bazë në New York që ka qënë duke studiuar koronaviruset në Kinë prej 15 vitesh gjithashtu ka ofruar mbështetjen e ndihmën e saj sipas Peter Daszak presidentit të grupit. Grupi ka qënë ai që ka ndihmuar ne vërtetimin se virusi SARS e ka patur fillesën nga lakuriqët e natës të një tregu në Kinën jugore e më pas ka kapërcyer tek njerëzit.

Kryeministri kinez Li Keqiang duke vizituar CDC-në e Kinës në Pekin në 30 Janar.

Zoti Peter shprehet se partnerët e tij ndërkombëtarë nuk kanë mundur të investigojnë në tregun ku mendohet të ketë buruar koronavirusi i ri. Gjithashtu, tani është tepër vonë. Ai është i mendimit se si një skenë krimi në të cilën provat janë kontaminuar apo shkatërruar opsioni më i mirë mbetet që testohet më gjërë për virusin tek kafshët e egra dhe tek njerëzit për të kuptuar se kush ka qënë në kontakt me ta.

 Shumë ekspertë të shëndetit besojnë se koronavirusi i ri jeton në mënyrë natyrore tek lakuriqët e natës dhe me shumë mundësi ka kapërcyer tek njerëzit përmes një kafshe tjetër të egër me shumë mundësi sipas tyre përmes maces “civet” ose përmes pangolinit.

Ndërkohë tregtarët vendas nuk kanë dëshiruar të flasin shumë mbi tregtinë e kafshëve të egra. Por disa prej tyre janë shprehur se kanë pare shumë kafshë të gjalla dhe të egra në shitje e në kushte jo sanitare.

Mes këtyre tregtarëve ishte dhe zoti Dazhong Livestock i cili së fundmi hapi një dyqan në një zonë tjetër Wuhanit në të cilin shiste kafshë të gjalla apo të ngordhura duke përfshirë këtu krokodilë, dhelpra arktike, minj bambuje, mace “civet”, etj, sipas burimeve të marra nga banoret e asaj zone. Por në një intervistë me Wang Konglin, i cili ishte investitori i kësaj sipërmarrje të realizuar nga zoti Dazhong, Wall Street Journal mëson se në këtë dyqan me aq sa ka njohuri zoti Dazhong prej vitesh nuk janë shitur kafshë të egra, por më së shumti mish viçi dhe mish dele.

Shumë kërkues besojnë se kafshët e egra ilegale për t’u shitur janë hequr në moment të fundit përpara se autoritetet të vinin në treg. Zoti Lu, menaxheri i kompanisë së dezifektimeve Jianwei Disinfection Company gjithashtu shprehet se nuk ka parë mace të llojit “civet” apo pangolini në atë zonë kur ai mbërriti, ndonëse sipas burimeve të banorëve të zonës mësohet se këto gjallesa kanë qënë prezente nëpër dyqanet e ndryshme.

Sipas Zotit Lu, Qëndra e Kinës për Kontrrollin e Sëmundjeve kishte mbërritur përpara se të vinte ai dhe se gjithë tregtarët kishin lënë ushqimet e produktet që kishin nxjerrë në shitje jashtë në mënyrë që të mund të testoheshin nga autoritet e ndryshme kineze.

Krahas autoriteteve kineze për ta parë më nga afër situatën e krijuar në tregun e Wuhanit kanë ardhur aty e ekspertë nga Taivani dhe Hong Kongu gjatë mesit të janari dhe sipas tyre nuk janë gjetur kafshë të egra.

Ian Lipkin, një virolog në Universitetin Columbia, djathtas, në Guangzhou të Kinës, më 29 Janar.

Ian Lipkin një virolog nga Universiteti i Kolumbias i Kalofornisë shprehet se kur vizitoi Kinën në fund të janarit sipas kontaktit të afërt të tij me drejtuesit e Qëndrës Kineze për Kontrollin e Sëmundjeve (China CDC) dyshimi fillestar ishte për minjtë e bambusë që shpesh shiten në Kinë.

Por pas një investigimi të thellë u zbulua se jo veçse që minjtë e bambusë nuk ishin më të dyshuarit kryesorë, por që ishte shumë e vështirë të identifikohej kafsha nga ku mund të kishte buruar virusi.

Por dyshimi se lakuriqët e natës janë burimi i këtij virusi vjen më së shumti nga një studim i publikuar më 23 janar në të cilin konkludohet se gjenoma e virusit të ri është 96% identike me atë të një koronavirusi të gjetur nga lakuriqët e natës të ardhur prej Kinës jugore.

Një javë pas publikimit të këtij studimi më 23 janar, China CDC publikoi një studim në të cilin gjithashtu konkludohej se lakuriqët e natës janë mbartësit origjinalë të këtij virusi, por që virusi është përhapur përmes një kafshe tjetër pasi lakuriqët e natës nisin periudhën e gjumit letargjik në dhjetor e asnjë prej tyre nuk shitet në atë periudhë nëpër tregje.

Punëtorët në tregun Huanan në 30 Mars, pasi kufizimet e udhëtimit në Wuhan u lehtësuan. FOTO: HECTOR RETAMAL/AGENCE FRANCE-PRESSE/GETTY IMAGES

Konkluzioni se virusi ka ardhur nga një kafshë tjetër përveç lakuriqit të natë është bërë shqetësim jo veçse nga OBSh-ja por dhe nga një organizatë më pak e njohur si OIE me bazë në Paris, e cila ndryshe njihet si Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve. Kjo organizatë solli ekspertë nga gjithë bota të cilët i rekomanduan Kinës një investigim të thellë përsa i përket problemit të tregtisë së kafshëve të egra e menaxhimit të tregjeve të ushqimeve të detit në Wuhan mes shumë të tjerave. Por është akoma e paqartë se sa prej rekomandimeve të marra nga OIE Kina ka adoptuar.

OIE shprehet për Wall Street Journal se i ka kërkuar veterinerëve kinezë për bashkëpunim, por asnjë përgjige nuk është marrë nga ata. Ndërkohë Drik U. Pfeiffer profesor veterinarie dhe epidemilogjie në Universitetin City të Hong Kongut si dhe anëtar i OIE-së shprehet, “Problemi është se tani është tepër vonë për t’u studiuar tregu dhe provëzat, këto gjëra duheshin bërë në fund të dhjetorit apo nga fillimi i janarit. Kështu që na ngelet të mbështetemi mbi evidencat indirekte e si rrjedhojë vërtetësimi i shkakut të kësaj pandemie do jetë gati i pamundur”./Burimi Wall Street Journal, përshtati në shqip Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë