Nga Megi Iskurti – Anipse këto ditë moti ka qenë i mirë dhe me diell, në një vizitë tek tregjet e fruta-perimeve dita duket pahumor, me blerjet që nuk gjallojnë si dikur për shkak të rritjes drastike të çmimeve dhe tregtarët pesimistë që rreken të shesin diç më shumë se ditët e mëhershme.
Shtrenjtimi i çmimeve po vazhdon zinxhir, që nga prodhimet e tokës, te grumbulluesit dhe shitësit me shumicë e deri te stendat e tregjeve ku blejnë shqiptarët.
Ritmet e rritjes së çmimeve në dy muajt e fundit ishin në nivelet më të larta të dekadës sipas të dhënave të fundit të INSTAT, të ndikuara më së shumti nga çmimet e ushqimeve, naftës dhe energjisë.

Edhe buletini i radhës për indeksin e çmimeve të konsumit për muajin janar nga INSTAT raportoi se rritjen më të madhe e pësoi grupi i ushqimeve.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 17.0 % ndërsa të “frutave” me 8.5 %.
Ndonëse ushqimet janë kategoria që prej më shumë se një viti po mban gjallë inflacionin, në vend të konsumit, janë rritur çmimet.
Tregtarët thonë për Gazetasi.al që një faktor kryesor që ka ndikuar në këtë situatë kanë qenë edhe ngricat e disa ditëve më parë që kanë dhënë goditjen e parë më afatshkurtër. Çmimet e larta tregtarët gjithashtu i lidhin me rritjen e shpenzimeve të fermerëve teksa thonë se fuqia blerëse ka pësuar rënie vitet e fundit.
“Çmimet e frutave por edhe të perimeve vijnë duke u rritur nga fermeri, te ai që i grumbullon e në fund deri tek konsumatori. Blerjet kanë qenë drastikisht të ulëta këto ditë. Teksa ka ende tregtarë që duan të kompesojnë dëmin ekonomik të shkaktuar nga pandemia, qytetarët rrallë po ndalojnë për të blerë”, thotë për Gazetasi.al Viktor Kondatçiu, një tregtar që shet në krye të tregut te ish-Uzina Dinamo.
Nga ana tjetër, konsumatorët ndihen krejt të pambrojtur karshi kësaj rritje çmimesh.
Nga vëzhgimi që Gazetasi.al bëri, një kilogram sallatë kushtonte gati sa një litër naftë, e madje dhe pak gjë më shumë.

“Me moshën na janë shtuar edhe shpenzimet. Ne jemi pensionistë dhe nuk blejmë dot një kilogramë mollë për shkak të rritjes së çmimeve.
Të mos flasim pastaj më tej për sallatë a perimet e stinës. Vijmë këtu e ikim në shtëpi pa blerë asgjë, me duar bosh”, shprehet një e moshuar për Gazetasi.al tek vijon më tej gati mekanikisht fjalitë se me pensionin që kanë nuk përballojnë dot pagesat për energji e për medikamente të domosdoshme.
Vala e rritjes së çmimeve erdhi si cunam në tregjet globale, me inflacionin që shënoi nivele të larta në shumë shtete të botës duke kaluar edhe pritshmëritë, por në vendet në zhvillim si Shqipëria, ku mundësitë për të amortizuar efektet janë të pakta dhe konsumi është i bazuar në import, goditjet në buxhetin e konsumatorëve janë më të ashpra.
“Të gjithë perimet kanë shënur rritje. Brokoli, lulelakra dhe sidomos sallata jeshile janë rritur gati me 30%.
Ne e kuptojmë dhe peshën që kanë qytetarët tek gjenden përballë këtij orteku çmimesh të larta por në fund të ditës na rëndon më shumë pesha jonë.
Arsyet kryesore lidhen me prodhimin e pakët vendas ndërkohë që një pjesë e atij që ishte potencial për të prekur tregun gjatë kësaj periudhe është humbur pasi nuk rezistoi në ditët e ftohta.
Një rritje atipike është vërejtur edhe tek lakra e cila me shumicë zakonisht tregtohet në nivelin e 30 lekëve për kilogram ndërkohë që tashmë e shesim me një çmim fundor prej 80 lekë kilogrami”,-thotë për Gazetasi.al Selim Bana, një tjetër tregtar.
Ai shton se temperaturat me minus që përfshinë thuajse gjithë vendin nuk kursyen as zonën e Myzeqesë e cila mbetet kryesorja në prodhim përgjatë gjithë vitit.

“Temperaturat e ngrohta mundësojnë që edhe gjatë dimrit të merret prodhim në disa kultura të cilat rezistojnë në ambient të hapur ndërkohë që paralelisht edhe prodhimi i serave zë një vend të rëndësishëm. Por në këtë rast ngricat na prishën shumë punë. Ne parashikojmë që gjithë shkurti të vijojë me këto ritme”, thotë më tej ai tek shton se zbutja mund të nisë që pas marsit, atëherë kur dalin dhe prodhimet e serave.
Një tjetër qytetare shprehet se institucionet duhet ta kontrollojnë këtë rritje të lartë çmimesh që nuk është normale.
INSTAT lajmëroi sot (10 shkurt) se indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me 3.7 %, në krahasim me janarin e vitit të shkuar. Ndërsa qytetarët duket se edhe për do kohë do të vijojnë të jenë të përfshirë në vorbullën e çmimeve të larta që ka përfshirë tregun…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




