Futboll

Në Torino luhet për zonën ‘Champions’

Nga Gazeta Si – Dy skuadra që synojnë një vend në katërshen e parë do të përballen të sot në mbrëmje në Torino.

Pas një fitoreje motivuese në Europë, Juventus doli triumfues edhe në ndeshjen e fundit në kampionat, duke i shkaktuar Bologna-s një humbje të rrallë në “Stadio Dall’Ara”.

Juan Cabal, ishte surpriza e madhe e ndeshjes, duke shënuar golin e vetëm të një takimi të ekuilibruar, vetëm pak minuta pasi hyri nga stoli.

Me dy fitore në tre ndeshjet e fundit– po aq sa në 9 takimet e mëparshme – Juventus duket se po e lë pas një fillim të vështirë sezonal dhe aktualisht renditet i 5 në Serie A.

Spalletti, i cili do të përballet me një nga ish-skuadrat e tij – dy javë pasi humbi ndaj një tjetër “dashurie të vjetër” në Napoli – mund të reflektojë edhe mbi rekordin dominues të Juventus-it në shtëpi kundër Romës.

Jo vetëm që bardhezinjtë kanë fituar 11 nga 14 përballjet e fundit në Torino, por kanë ruajtur portën e paprekur në 10 prej tyre.

Në shtëpi apo transfertë, Roma ka fituar vetëm 1 nga 10 ndeshjet e fundit të Serie A kundër Juventus-it – ndërsa ka barazuar në 3 përballjet e fundit rradhazi.

Verdhekuqtë mund të kenë rënë në vendin e 4, por janë vetëm 3 pikë larg Inter që këtë javë mungon në kampionat për shkak të Superkupës së Italisë.

Si pasojë, një fitore ndaj Juventus do ta ngjiste skuadrën e Gian Piero Gasperinit në vendin e 2, mbi Napoli-n dhe Milan-in.

Ka arsye reale për optimizëm pasi me 8 gola të pësuar, Roma ka mbrojtjen më të fortë në Serie A, ndërsa rekordi i saj në transfertë këtë vit kalendarik është thjesht i shkëlqyer: 12 fitore në 17 ndeshje.

  • Formacionet e mundshme

Juventus: Di Gregorio; Kalulu, Bremer, Kelly; McKennie, Locatelli, Thuram, Cambiaso; Conceicao, Yildiz; Openda

Roma: Svilar; Celik, Mancini, Hermoso; Wesley, Kone, Cristante, Rensch; Soule, Pellegrini; Ferguson


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë