Treg

Në tetor u rritën me 44% turistët, tur-operatorët pritshmëri pozitive dhe për fundvitin

Nga Gazeta ‘Si’-Prurjet turistike po zgjasin përtej verës dhe preferencat e turistëve janë zhvendosur nga zonat e jugut, drejt qendrës.

Sipas të dhënave të INSTAT, në muajin tetor, numri i turistëve gjithsej është rritur me 44.3% krahasuar me tetorin e vitit të shkuar.

Numri i atyre rezidentë është rritur me 39.5% dhe i atyre jo-rezidentë me 48.7%.

Tur-operatorët turistikë të cilët për muajt e vjeshtës kishin pritshmëri vetëm për një cikël të mbyllur turistësh brenda Ballkanit Perëndimor shprehen të surprizuar për Gazetasi.al se ka patur prurje të mëdha jo vetëm nga Europa Perëndimore dhe Azia por edhe nga Amerika.

Besnik Vathi,Kreu i Shoqatës së Tur-Operatorëve thotë për Gazetasi.al se turistët që po vizitojnë Shqipërinë gjatë këtyre muajve, janë më shumë të interesuar për turizmin historik-kulturor.

Besnik Vathi,Kreu i Shoqatës së Tur-Operatorëve

“Turizmi në Shqipëri ndahet kryesisht në dy periudha, ai i plazhit dhe ai kulturor që përkon me periudhën e vjeshtës. Rritja e turizmit blu ka ndikuar edhe në rritjen e këtij lloji tjetër të turizmit sepse turistët ndajnë përshtypjet e tyre me njëri-tjetrin.

Ka ende prurje të mëdha turistësh që në këtë kohë, më shumë se me fluturime, vijnë me autobusë”, thotë për Gazetasi.al ai.

Sipas INSTAT, vizitorët rezidentë në qendër të vendit zunë 44% të totalit, nga 33% që ishte kjo peshë në të njëjtin muaj të një viti më parë. Ndërkohë vitin e kaluar, vizitorët rezidentë kishin preferuar jugun, me 45% të totalit.

Edhe për vizitorët e huaj (jo rezidentë) preferenca është e dukshme për qendrën, kryesisht bregdetin. Në tetor qendra tërhoqi gati 50% të të huajve që vijnë në vend për turizëm.

Në zonat bregdetare ky tregues është rritur me 87.6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Netë qëndrimet janë rritur

Gjatë tetorit, numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 32.5 %, krahasuar me tetorin e vitit të shkuar.

Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritjen më të lartë me 63.1 %. Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 65% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritjen më të lartë me 42.7 %.

Pritshmëri pozitive edhe për fundvitin, prurjet më të larta nga rajoni

Ndonëse çmimet vazhdojnë të jenë të larta dhe inflacioni në shumë shtete ka arritur shifra dyshifrore, tur-operatorët thonë se edhe pritshmëritë për festat e fundvitit janë premtuese.

“Gjatë festave të fundvitit nuk ka numër aq të lartë turistësh të huaj sa të mund ta diskutosh pasi atë periudhë kemi më shumë qarkullim të turistëve të brendshëm. Megjithatë, ata që vijnë janë kryesisht nga vendet e rajonit të cilët kanë tendencën për të vizituar më shumë Korçën dhe Voskopojën”, mbyll për Gazetasi.al Vathi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë