Fermerët shqiptarë dhe kompanitë do të kenë mundësinë, për herë të parë në Shqipëri të jenë pjesë e një grupi teknik Kombëtar pune për eksportin e produkteve të tyre në nivel lokal.
Fermerët dhe kompanitë do të mund të aplikojnë për certifikatën dhe më pas ky grup do të shërbejë për to si një burim informacioni rreth standardit GLOBALG.A.P në Shqipëri dhe pikë kontakti me Sekretariatin.
GLOBALG.A.P është rrjeti global rreth standardeve të sigurisë ushqimore dhe praktikave të mira bujqësore. Albinspekt bio.inspecta (një trupë kontrolli e cila siguron një shërbim të plotë në Inspektimin dhe Certifikimin e produkteve organike si dhe sistemeve të cilësisë ushqimore, në përputhje me standardet kombëtare, private e ndërkombëtare, e vetmja strukturë që njeh GlobalG.A.P në vendin tonë) në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe me mbështetjen e “RisiAlbania” (projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim) ka ndërmarrë iniciativën për krijimin e Grupit Teknik Kombëtar të Punës për standardin GlobalG.A.P në fruta perimet.
Certifikata GLOBALG.A.P u jep prodhuesve mundësinë për të gjetur një treg më të mirë për produktet e tyre. Sot, kompanitë e shitjes me pakicë kërkojnë që organizatat prodhuese që dërgojnë fruta dhe perime të freskëta në vendet e Bashkimit Evropian duhet të kenë Certifikatën GLOBALG.A.P.
“Deri më tani, në vendin tonë janë 17 kompani të certifikuara nga GLOBALG.A.P, 109 prodhues. Gjithashtu, 8 kompani e 53 prodhues janë në proces certifikimi”, thotë Irjana Gjana, përfaqësuesja e Albinspekt bio.inspecta e cila shton se në total janë 307 ha tokë të certifikuara.
Grupi Kombëtar Teknik i Punës për GlobalG.A.P (NTWG) është një grup pune i krijuar në mënyrë vullnetare dhe përbëhet nga 9 anëtarë të cilët janë eksportues, konsulentë të certifikuar nga GlobalG.A.P, kompani konsulentë, agronomë, përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe shoqata të agrobiznesit.
“Thënë më thjeshtë, fermeri përfiton 10-20% më shumë të produktit nëse bashkëpunon me GlobalG.AP. Ky sistem rrit prezencën e produkteve të fermerëve Shqiptarë në supermaketet tona”, thotë Agim Rrapaj, kryetari i Këshillit të Agroturizmit Shqiptar (KASH) që shpjegon se ka shumë fermerë që nuk janë të informuar për tregun e punës dhe për pasojë ato i shesin produktet me një çmim më të ulët se vlera e tyre. Grupi teknik i punës do të shmangë këtë.
Gjana tregon se fermerët që do të regjistrohen do ta kenë më të lehtë për të prodhuar produkte në standarde evropiane, për të ditur se çfarë produktesh kërkon më shumë tregu dhe do të kenë një treg të siguruar. Përveç se supermarketet do të shesin më produkte “Made in Albania”, ngadalë do të synohet një treg më i madh evropian. Gjithashtu fermerët dhe kompanitë do të ndihmohen nga ekspertë për gjithë procesin e punës dhe paqartësitë që do të kenë në lidhje me eksportin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




