Juventusi i kthehet pistës Filip Kostiç. Sulmuesi anësor kërkohet me çdo kusht nga trajneri Masimiliano Alegri dhe klubi po përpiqet ta kënaqë.
Pas një muaji kontaktesh, duket se ka ardhur momenti për ta mbyllur marrëveshjen për kalimin e serbit nga Eintraht Frankfurti te bardhezinjtë. Lojtarit të datëlindjes 1992 i skdaon kontrata pas një viti.

Juventusi është gati të shpenzojë 12 milionë euro, plus bonuset. Por nuk është kaq e thjeshtë. Klubi italian duhet të fitojë konkurrencën me anglezët e Uest Hemit, që ofrojnë 15 milionë euro.
Juventusi ka avantazh në këtë rast vullnetin e vetë Kostiç, i cili parapëlqen skuadrën e Alegrit. Kuptohet që emri i madh i Juventusit dhe pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve kanë ndikim në këtë rast, para anës ekonomike.
Për sulmin bardhezinjtë kanë pasur kontakte me shumë futbollistë, por kanë hasur jo pak vështirësi. Për këtë arsye Alegri kërkon të sigurojë sa më parë serbin Kostiç, që përshtatet mirë në skemat e tij të lojës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




