Nga Nermina Kuloglija-Zolj – Duke u vënë fëmijëve emrat e të dashurve që humbën në gjenocidin e vitit 1995, banorët e Srebrenicës po mbajnë gjallë kujtimin e viktimave dhe po sigurohen që rrëfimet e tyre të mos harrohen.
Djalit të Muhamed Avdic iu vu emri ‘Azam’, por në fillim Avdiqi nuk mund ta thërriste me atë emër.
“Kur ishte foshnjë, kur e puthja dhe e mbaja në krahë… e thërrisja me përkëdhelje ‘bej i mirë’ apo ‘kumbulla sheqeri’,” tha Avdiqi. “M’u desh kohë të mësohesha ta thërrisja Azam.”
Azam ishte emri i babait të Avdic, i cili ishte 41 vjeç kur u vra së bashku me rreth 8,000 burra dhe djem boshnjakë nga forcat serbe të Bosnjës në zonën e shpallur më parë si e sigurt nga Kombet e Bashkuara në Srebrenicë, në korrik të vitit 1995 , një krim i cilësuar si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi (ICTY) në Hagë.
Sot, djali i Avdiqit është 11 vjeç po aq sa kishte Avdici kur pa për herë të fundit të atin, eshtrat e të cilit nuk janë gjetur kurrë.
Nuk është vetëm emri që djali i ka trashëguar, por edhe fytyra e rrumbullakët, flokët e çrregullta dhe dashuria për muzikën.
Babai i Avdicit ishte mësues dhe violinist. Talenti i tij është regjistruar në video që Avdici i sheh ende sot.
“Njerëzit ndonjëherë thonë që ai (djali) ka të njëjtin shikim dhe ngjyrë sysh,” tha Avdiqi për të birin. “Por jo vetëm kaq. Ai ka trashëguar edhe gjenin muzikor; luan kitarë dhe e ndien muzikën.”
Duke i vënë emrin Azam, Avdici thotë se po mban gjallë kujtimin e të atit.
“Nëse nuk mundi të shpëtonte veten gjatë luftës, të ishte gjallë e të takonte nipërit e mbesat e tij, dhe nëse nipërit nuk kanë mundësinë ta takojnë fizikisht gjyshin, atëherë le të mbahet kujtimi në këtë mënyrë dhe le të njihen në këtë mënyrë.”
‘Që të më kujtojë babanë’
Ahmed Hrustanovic, imam në Srebrenicë, i varrosi eshtrat e babait të tij Rifat para 13 vitesh.
Po atë vit, bashkëshortja e tij solli në jetë një djalë, por Hrustanoviqi thotë se nuk ishin ende gati për t’i vënë emrin Rifat.
“Nuk ishim gati, as unë, as familja ime, as nëna ime, as motra , askush,” tha ai. “Kishim një lloj frike. Nuk e di se nga çfarë, por nuk kishim forcë të shqiptonim atë emër në shtëpinë tonë në vitin 2012.”
Kur lindi një djalë tjetër në fund të vitit 2021, familja u ndje gati dhe i vuri emrin Rifat. Por për muaj të tërë, Hrustanovici e pati të vështirë ta thërriste me atë emër.

“E shmangia disi, nuk mundesha t’i pajtoja ata dy, djalin Rifat, babanë Rifat.”
Në vend të emrit, ai e thërriste me nofkën e babait të tij , Rile.
“Pastaj, bllokada u thye dhe tani e thërras Rifat. Tani jam me të vërtetë i lumtur. Jam shumë krenar dhe falënderues ndaj Zotit të dashur për djalin tim Rifat, që të më kujtojë babanë.”
Fëmijët që mbajnë emrat e atyre që u vranë në Srebrenicë në vitin 1995, do të mbajnë barrën e asaj që të tjerët e mbijetuan, tha ai, por edhe shpresën që kjo të mos ndodhë më kurrë.
Kjo është gjithashtu një praktikë tradicionale në rajon, t’u vihet fëmijëve emri i të ndjerëve. Hrustanoviqi thotë se e ëma i kishte thënë dikur se kjo ishte mënyra për të mbajtur të gjallë emrin dhe, në një farë mënyre, për të mbajtur pranë të vdekurit.
“Në grupin e fëmijëve më të vegjël në Mekteb (shkolla fillore myslimane), ku ka mbi 20 fëmijë, kam numëruar njëherë 15 prej tyre që mbanin emrat e gjyshërve apo xhaxhallarëve të vrarë në gjenocid,” tha Hrustanoviqi.
“Jam veçanërisht i lumtur për këtë, sepse është vazhdim i luftës sonë, vazhdim i rrëfimit tonë që gjenocidi nuk duhet dhe nuk do të harrohet.”
Të vazhdosh jetën e të vdekurve
Fehrije Jakuboviq-Dudic nuk e kishte njohur babain e bashkëshortit të saj, Mehan, por ishte e lumtur t’ia vinte emrin djalit të madh.
“Është një emër shumë i rrallë dhe, më e rëndësishmja, ka një kuptim shumë të bukur në fenë islame, i lavdëruar, i nderuar,” tha Jakubovic-Dudic.
Bashkëshorti i saj e kishte parë për herë të fundit të atin në vitin 1993, kur ai u nis me autobus drejt Tuzlës. Eshtrat e tij u identifikuan në vitin 2012 dhe u varrosën atë vit në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës në Potoçari.
“Po atë vit, gjashtë muaj më vonë, lindi Mehani,” tha Jakuboviq-Dudic.

Hrustanoviqi thotë se kjo praktikë mund të ndihmojë në lehtësimin e barrës për brezat e rinj, që nuk kanë kujtime nga lufta e viteve 1992-1995 në Bosnjë.
“Fëmijët që jetojnë këtu në Srebrenicë tashmë mbajnë një barrë të rëndë nga ajo që shohin në rrugë, nga ajo që shohin kur kalojnë pranë Qendrës Përkujtimore,” tha ai. “Duan apo nuk duan, ata janë nën këtë barrë. Në këtë mënyrë, do të mësohen më mirë me të dhe do ta përballojnë më lehtë, sepse edhe ata do të përpiqen të japin një kontribut që rrëfimet e gjyshërve të tyre të mos mbeten të pathëna.”
Kur të rriten, tha Avdic, ata do të jenë në gjendje të tregojnë rrëfimin pas emrit që mbajnë.
“Nuk është njësoj të mbash një emër nga një personazh i një libri dhe të thuash se ke marrë emrin e xhaxhait apo gjyshit që u vra në gjenocid.”
Burimi: BalkanInsight.com
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



