Shendet

Në Shqipëri qarkullon intensivisht virusi HMPV, Alimehmeti: Simptoma të njëjta me gripin. S’ka alarm për pandemi të re

Nga Gazeta Si- Rreth 10-15 për qind e rasteve të viruseve respiratore në vendin tonë pothuajse çdo vit janë të llojit HMPV, ose siç njihet ndryshe metapneumovirusi i njeriut. Ky virus shkakton simptoma të ngjashme me gripin ose të ftohtin, por mund të rrisë rreziqet ose të çojë në komplikime më serioze si bronkiti ose pneumonia, veçanërisht tek të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe njerëzit me imunitet të komprometuar.

I pyetur nga Gazetasi.al, epidemiologu Ilir Alimehmeti thotë se në vendin tonë, virusi HMPV qarkullon rëndom, por nuk është identifikuar asnjëherë pasi nuk kryhen testime në laborator.

“Virusi HMPV sa i takon simptomave është i njëjtë me gripin e tipit A, por asnjëherë nuk kemi patur të dhëna zyrtare për rastet e prekura. Ajo çfarë dihet janë rastet e rënda të hospitalizuara me probleme të rënda respiratore, sidomos tek moshat mbi 65-vjeç. I takon ISHP të kryejë testime dhe të identifikojë llojet e viruseve që qarkullojnë në vendin tonë”, thotë Alimehmeti.

Buletini më i fundit i Institutit të Shëndetit Publik, që i përket javës 16-22 dhjetor referon për shtim të rasteve me insuficencë akute respiratore (SARI) të cilat sa i takon simptomave janë të ngjashme me virusin HPMV.

Sipas të dhënave zyrtare të ISHP, rreth 88.6% e mostrave të analizuara në laborator janë SARI dhe 3.25% janë infeksione respiratore, të lehta e të ngjashme me gripin, përfshi dhe rastet e Covid-19.

Alarmi për pandemi të re, Alimehmeti: I rremë

Virusi HMPV nuk është virus i ri, por ai u zbulua në vitin viti 2001 për herë të parë në Holandë. Shpërthimet e tij janë të përqendruara gjatë stinëve më të ftohta.

Qendra për kontrollin e sëmundjeve (CDC),  bën thirrje për të mos u alarmuar pasi nuk bëhet fjalë për shpërthim të pandemie të re njëlloj si Covid-19, por për një virus të ngjashëm me gripin i cili duhet trajtuar me kujdes.

“HMPV ka qarkulluar për një kohë, kështu që njerëzit kanë njëfarë imuniteti kundër këtij metapneumovirusi njerëzor. HMPV është një virus që mund të shkaktojë sëmundje të rrugëve të sipërme dhe të poshtme të frymëmarrjes tek njerëzit e të gjitha moshave. Fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe njerëzit me sistem imunitar të dobësuar janë më të rrezikuarit për sëmundje serioze nga virusi”, thotë Alimehmeti.

Kohëzgjatja e sëmundjes ndryshon në varësi të ashpërsisë në rastin e një individi, por është e ngjashme me infeksionet e tjera të frymëmarrjes të shkaktuara nga viruset, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

A është HMPV një virus i ri?

HMPV nuk është i ri. Ai është pjesë e familjes Pneumoviridae së bashku me virusin sincicial të frymëmarrjes, ose RSV. Sipas qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve në SHBA, virusi HMPV mund të ketë qarkulluar edhe më herët, për dekada ose mbi një shekull.

Virusi ka qarkulluar për të paktën 60 vjet dhe studimet evolucionare gjenetike sugjerojnë se ai ka ndryshuar nga një virus zogjsh midis 200 dhe 400 vjet më parë, thonë studimet më të fundit.

“HMPV shkakton epidemi sezonale të rregullta vjetore, të ngjashme me virusin e gripit të njohur më gjerësisht dhe RSV. Sezoni tipik i HMPV është fundi i dimrit deri në fillim të pranverës. Pra, kjo nuk është krejtësisht e papritur”, thotë doktor Ilir Alimehmeti.

Sipas tij,  imuniteti i përhapur i popullatës duhet të ulë rrezikun e një problemi më të madh të shëndetit publik.

Pothuajse e gjithë bota përjeton rritje sezonale çdo vit.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve aktualisht raportojnë një rritje të lehtë të HMPV në Amerikë. Megjithatë, rastet janë ende të ulëta, që nga java e 28 dhjetorit, gati 2 për qind e testeve ishin pozitive për virusin. Vitin e kaluar HMPV arriti kulmin në prill me rreth 8 për qind të testeve që ishin pozitive.

Në SHBA, HMPV zakonisht qarkullon duke filluar nga dimri dhe zgjat deri në pranverë, thotë CDC, dhe mund të qarkullojë njëkohësisht me RSV dhe gripin gjatë sezonit të virusit të frymëmarrjes.

A është HMPV më i keq se COVID?

Ekspertët thonë se shpërthimi i HMPV në Kinë nuk është një shqetësim i madh.

Sipas të dhënave më të fundit të CDC, HMPV përbën më pak se 2% të testeve javore pozitive të viruseve të frymëmarrjes.

Që një sëmundje të konsiderohet e përhapur në nivel lokal, duhet të jetë mbi 10% e rezultateve pozitive për dy javë.

Transmetimi dhe parandalimi i HMPV

HMPV transmetohet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me dikë që e ka atë ose nga prekja e gjërave të kontaminuara me virusin.

“Fatkeqësisht, krahasuar me gripin, RSV dhe COVID, ne nuk kemi një vaksinë për metapneumovirusin njerëzor, kështu që ne nuk e kemi atë avantazhin e përgatitjes ose rritjes së sistemit tonë imunitar për të luftuar këto viruse”, thotë doktor Alimehmeti.

Për të parandaluar sëmundjen, duhen ndërmarrë hapa të ngjashëm për parandalimin e viruseve të tjera të frymëmarrjes, siç janë larja e duarve me sapun dhe ujë dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit e sëmurë.

“Nëse dikush është i sëmurë, përpiquni të shmangni grumbullimin në mënyrë që të mos ekspozohen të gjithë, veçanërisht njerëzit e cenueshëm,” thotë Alimehmeti.

“Nëse ai person është i sëmurë dhe nuk mund të shmangë shkuarjen në një vend ku ndodhen të tjerët, atëherë duhet të përpiqet të përdorë maskë dhe të lajë mirë duart”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë