Nga Gazeta Si- Nga një festë adoleshentësh në gjimnaz deri te përdorimi i heroinës me shiringë, Edi, një 20-vjeçar nga një fshat i Devollit, prej pesë vitesh është konsumator i rregullt i lëndëve narkotike. Sot, ai është i varur nga heroina dhe ndodhet në një gjendje të rëndë shëndetësore dhe psikologjike.
Prindërit e tij, në kushte jo të mira ekonomike dhe pa rrugëdalje në Shqipëri, kanë filluar të kërkojnë ndihmë jashtë vendit.
Babai i 20-vjeçarit merr në muaj një pagë 450 mije lekë të vjetra, ndërsa paga e së ëmës është 300 mijë lekë.
Por shpenzimet që kërkon terapia e djalit i tejkalon mundësitë pasi, kostoja e trajtimit në qendrat private shkon sa paga mujore e gruas së tij. Ndërkohë që faturat e shtëpisë, ushqimet dhe nevojat e tjera shëndetësore duhet të përballen me pagën e tij.
“Është djali ynë i vetëm. E nisi me marijuanë në gjimnaz, dhe sot nuk e njohim më. Në Tiranë na kanë thënë se nuk ka qendër shtetërore për ta shtruar. Do e çojmë në Kosovë”, thotë babai i Edit.
Në Shqipëri, aktualisht nuk funksionon asnjë qendër publike e specializuar për rehabilitimin afatgjatë të përdoruesve të substancave narkotike.
E vetmja qendër private, e ndodhur në Ibë të Tiranës, ka kosto që i kalojnë 300-400 mijë lekë të vjetra në muaj, një shifër e papërballueshme për shumë familje.
“Qendra ‘Emanuel’, që ka qenë një shembull i mirë, është mbyllur prej vitesh. Të vetmet raste që po marrin ndihmë janë ata që kanë mundësi financiare ose që shkojnë jashtë”, thotë Genci Muçollari, drejtues i një organizate për sensibilizimin kundër përdorimit të drogës.
Aktualisht, qendra rehabilitimi në Ferizaj të Kosovës është destinacioni më i afërt për shumë familje shqiptare që përballen me të njëjtin hall.
Por kjo do të thotë të shkëputesh nga familja, nga mjedisi dhe të përballosh edhe kostot e udhëtimit dhe qëndrimit në një shtet tjetër.
Strategjia ekziston, por mungojnë zbatimi dhe strukturat
Ministria e Shëndetësisë, në strategjinë kombëtare për kontrollin e përdorimit të substancave 2023–2026, ka vendosur si objektiv përmirësimin e qasjes në shërbimet rehabilituese, parandalimin dhe reduktimin e dëmeve që lidhen me përdorimin e drogës. Por aktualisht, implementimi praktik i kësaj strategjie është thuajse inekzistent.
Në Shërbimin Universitar të Adiktologjisë dhe Toksikologjisë Klinike, në QSUT, janë trajtuar 324 pacientë në vitin 2020, 418 në 2021 dhe 789 në vitin 2022.
Një rritje që tregon qartë se nevoja për qendra të specializuara është emergjente dhe në rritje të pandalshme.
Statistikat, të rinjtë më të ekspozuar
Sipas Anketës së Përgjithshme të Popullsisë (GPS) të vitit 2014, droga më e përhapur mes të rinjve shqiptarë të moshës 15–34 vjeç është kanabisi, i ndjekur nga kokaina, ekstazia dhe heroina. Meshkujt janë 8–10 herë më të ekspozuar ndaj përdorimit të substancave sesa femrat.
16% e të rinjve 15–34 vjeç kanë përdorur kanabis (kundrejt 11.7% të të rriturve) dhe 6.3% kanë përdorur kokainë (kundrejt 4.7% të të rriturve).
Në muajin e fundit para anketimit, 4.1% e të rinjve kishin konsumuar kanabis dhe 1.4% kokainë. Këto të dhëna flasin për një përdorim të vazhdueshëm, jo thjesht sporadik.
Ekspertët theksojnë se rehabilitimi nga varësia ndaj drogës nuk është një proces që mund të bëhet në mënyrë të izoluar.
“Një përdorues droge nuk mund të shkëputet vetëm. Duhet mbështetje mjekësore, psikologjike dhe sociale. Duhet një sistem i tërë që ta ndjekë”, shton Muçollari.
Por sistemi aktual është fragmentar dhe i pamjaftueshëm. Familjet ndihen të braktisura. Djem dhe vajza të rinj si Edi humbasin çdo ditë përballë mungesës së infrastrukturës rehabilituese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.