Mjedis

Në Shqipëri ndërtohet mbi rregulla të vjetëruara antitërmet

Rregullat që përcaktojnë kushtet e ndërtimit për të përballuar lëkundjet e tërmeteve në Shqipëri janë të vjetëruara. Kodi Antisizmik dhe hartat e shpërndarjes sizmike në fuqi janë miratuar që në periudhën komuniste dhe që prej asaj kohe në to nuk janë reflektuar, as zhvillimet e teknologjisë e metodave dhe materialeve ndërtimore dhe as ndryshimet e terrenit.

I vetmi vendim madhor që është marrë pas rënies së komunizmit konsiderohet vendimi nr.350 i Këshillit të Ministrave që përcakton se për ndërtimet mbi 8 kate, pavarësisht nëse janë për banesa, apo jo, duhet më parë që të realizohen studime sizmologjike.

A duhet ndërhyrë në këtë kod? “Absolutisht që po! Kodi që ne kemi në fuqi është i vitit 1989”, thotë për gazetën “Si” sizmologu Llambro Duni.

Profesor Duni sqaron se hartat e shpërndarjes sizmike janë të përditësuara, por që ato të hyjnë në fuqi, duhet ndërhyrë në Kodin Antisizmik. Në këtë kod, në fuqi janë hartat e vitit 1979. Por çfarë e pengon ndryshimin e Kodit?

Profesor Duni propozon ndërhyrjen edhe për ta përshtatur këtë kod me standardet europiane. Por, pengesë është fakti se ndërhyrja në këtë kod është mjaft specifike, që kërkon burime njerëzore të mëdha dhe financim nga Qeveria. “Kërkon financim nga Qeveria, burime njerëzore. Do shumë punë”, deklaron ai.

Shqipëria renditet në vendet me rrezikshmëri relativisht të lartë sa u takon tërmeteve, por as ky fakt nuk i ka shkundur Qeveritë që të ndërhyjnë dhe të përditësojnë Kodin Antisizmik. Debati për ndërhyrje në këtë kod është hapur që në vitet 2001-2002 dhe është rikthyer hera-herës për diskutim, por asnjëherë nuk ka tërhequr vëmendjen e nevojshme as të vetë publikut dhe as të strukturave vendimmarrëse.

Në 2010, katër emra të njohur në fushën e sizmologjisë, Prof.Dr.Eduard Sulstarova, Prof.Dr.Shyqyri Aliaj, Prof.Dr.Siasi Koçiu dhe Prof.Dr.Betim Muço, përmes monografisë “Sizmiciteti, sizmotektonika dhe vlerësimi probabilitar i rrezikut sizmik në Shqipëri” propozojnë të paktën ndërhyrjen për të përditësuar hartat e shpërndarjes sizmike.

“Pretendojmë dhe kërkojmë nga Qeveria që këto harta të futen, si kusht normativ për të gjitha ndërtimet antisizmike që bëhen në Shqipëri dhe të zëvendësojnë hartën sizmike të vendit e viteve ’80, që është edhe sot në fuqi”, deklaronte në 2013, Profesori Eduard Sulstarova.

Harta aktuale e zonimit sizmik

Fatkeqësisht, një vit më vonë Profesor Sulstarova ndërroi jetë, ndërkohë që propozimi i tij dhe i sizmologëve të tjerë vijojnë të mbeten propozime. Propozimi mbërrinte si një emergjencë për shkak se zonimi sizmik aktual e ndan vendin në tri zona intensiteti, përkatësisht 4, 7, dhe 8 ballësh.

Ndërkohë që në këtë botim, ndarja është më e detajuar dhe sizmologët propozojnë 9 zona të burimeve sizmike, ndajnë 12 harta të rrezikut sizmik probabilitar të Shqipërisë, vlerat e rrezikut sizmik për bashki, si edhe vlerat e plota spektrale për 36 qytete.

Studiuesit kërkojnë që vlerësimi probabilitar i rrezikut sizmik në këtë botim duhet të shërbejë si bazë për kodin e ri të ndërtimeve antisizmike në vend, duke zëvendësuar hartën aktuale të rajonizimit sizmik. Në studim një rëndësi e veçantë i është dhënë vlerësimit të rrezikut sizmik probabilitar, duke analizuar shpërndarjen në kohë e hapësirë e aktivitetit sizmik në Shqipëri. Mbi këtë bazë është vlerësuar se në territorin e Shqipërisë, me probabilitet 80 për qind, mund të ndodhë një tërmet VII ballë një herë në çdo 5 vjet, një tërmet VIII ballë çdo 10 vjet, ndërsa një tërmet IX ballë çdo 30-40 vjet dhe tërmeti maksimal i mundshëm arrin magnitudën Ms=7.5.

Në të njëjtin botim, katër sizmologët ngrenë alarmin se as vendimi i Këshillit të Ministrave i vitit 1995 nuk është zbatuar në një pjesë të ndërtimeve shumëkatëshe. Shembulli tipik për këtë është godina 28 katëshe në zonën Golem.

Zonat tektonike të Shqipërisë

Sipas kësaj ndarjeje, Tirana dhe Durrësi, dy qytetet ku ka qenë epiqendra e tërmeteve të fundit që kanë prekur vendin bëjnë pjesë në zonën e quajtur Ultësira Pranadriatike ku lëkundjet maksimale vlerësohen se mund të arrijnë një magnitudë deri në 6.9 të shkallës Rihter. A mund t’u mbijetojnë ndërtesat aktuale të Tiranës dhe Durrësit, që janë ngritur sipas kodit antisizmik të 1989, lëkundjeve të këtyre përmasave?

Përballë kësaj pyetjeje, sizmiologët tregohen të kujdesshëm. Ata theksojnë se së pari probabiliteti që një tërmet i të tilla përmasave të godasë vendin tonë është mjaft i ulët dhe së dyti përsërisin nevojën e ndërhyrjeve tek Kodi Antisizmik, duke njohur mangësitë aktuale të kodit.

Aktualisht janë duke u diskutuar Eurokodet, ose kodet e sigurisë teknike dhe sizmike që aplikohen nga vendet e Bashkimit Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë