Shqipëria përgjatë 2 muajve ka një numër relativisht të ulët të rasteve të reja, por bashkë me rastet janë ulur edhe vaksinimet.
Gjatë muajit mars vaksinimet ditore arritën edhe në 580 injektime në rang kombëtar,ndërkaq që ulja e vaksinimeve ka nisur që prej muajit janar.
Në 10 ditët e fundit të Janarit në të gjithë vendin u regjistruan në total 53,810 vaksinime anti-Covid. Bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë shohim se numrat e vaksinimeve janë gjithmon në rënie, ndërsa niveli i vaksinimit të përgjithshëm ka arritur deri në 56%.
Ndërkaq shifrat e infektimeve janë në rënie, ku të dhënat zyrtare tregojnë gjatë të shtunës janë shënuar vetëm 69 infektime. Sipas vaksinatorëve në qendrat shëndetësore rënia e infektimeve ka bërë që të ulen dhe vaksinimet dhe në qendrat shëndetësore paraqiten 1 deri në 2 qytetarë në ditë.

Mjeku Skënder Brataj në një intervistë për mediat ka shpjeguar se në verë do të kemi një situatë të qetë për shkak të përshtatjes që ka virusi me temperaturat e larta, por duhet t’i mbajë sytë nga dimri i ardhshëm.
Por në një kohë që në Shqipëri është një situatë e qetë, vendet europiane janë të shqetësuara për rritjen e rasteve nga nënvarianti B.A.2 i Omicron.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka theksuar nevojën për mbikëqyrje të mirë dhe sekuencë të gjenomit për të gjurmuar virusin.
“Omicron po pushton botën. Është varianti i fundit shqetësues dhe rreth 86% e sekuencave që janë në dispozicion nga katër javët e fundit janë nën-linja BA.2 . Pjesa tjetër janë BA.1″, tha Maria Van Kerkhove, drejtuesja teknike e OBSH-së për Covid-19 në një deklaratë publike të shtunën.
Duke pohuar se BA.2 është shumë i transmetueshëm, ajo gjithashtu theksoi se disa vende kanë filluar të shohin një rritje të rasteve për shkak të heqjes së masave.

Kjo u pa edhe në raportin e fundit javor të OBSH-së, i cili deklaroi se numri i rasteve të reja me koronavirus globalisht u rrit me 7% në javën e fundit.
Kishte më shumë se 12 milionë raste të reja javore dhe pak më pak se 33,000 vdekje, një rënie prej 23% e vdekshmërisë, sipas raportit të agjencisë shëndetësore të OKB-së.
Rastet e konfirmuara të virusit kishin rënë në mënyrë të qëndrueshme në mbarë botën që nga janari, por u rritën sërish javën e kaluar.Ajo gjithashtu paralajmëroi se me shumë vende që heqin dorë nga programet e përhapura të testimit, shumë infeksione ka të ngjarë të mungojnë dhe numrat e rinj të rasteve duhet të interpretohen me kujdes.
Javët e fundit, shumë vende, përfshirë Britaninë, Francën, Italinë dhe Gjermaninë, kanë lehtësuar shumë nga masat e tyre të shëndetit publik kundër Covid-19, edhe pse numrat kanë vazhduar të rriten.
Ndërkohë, autoritetet shëndetësore të Kinës raportuan këtë javë vdekjet e para të koronavirusit në më shumë se një vit, ndërsa vendi lufton me shpërthimin e tij më të keq që kur virusi u zbulua në Wuhan në fund të 2019.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje