Bota

Në Serbi arrijnë një milion doza të vaksinës kineze

Një aeroplan që transportonte një milion doza të vaksinës kineze kundër koronavirusit, Sinopharm, ka arritur të shtunën në Serbi, duke e bërë shtetin e parë europian që pranon vaksinën e Pekinit.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç ka dalë në aeroport së bashku me ambasadoren kineze në Beograd, Chen Bo për të pritur avionin me vaksinat.

“Dua ta falënderoj presidentin (e Kinës) Xi Jinping dhe udhëheqësinë kineze për dërgimin e një milion dozave të vaksinës”, tha Vuçiç, i cili ka ndihmuar në krijimin e lidhjeve më të ngushta me Kinën në vitet e fundit.

Ai tha se rregullatori i barnave në Serbi, pritet që në ditët në vijim të miratojë për përdorin vaksinën kineze, duke lejuar që administrimi i kësaj vaksine të nisë brenda javës.

Mbi 20,000 qytetarë serbë deri më tani janë vaksinuar kundër koronavirusit, që prej nisjes së fushatës së vaksinimit nisi në fund të dhjetorit të vitit të kaluar. Në Serbi, fillimisht janë vaksinuar më të moshuarit që jetojnë në shtëpi të pleqve dhe punëtorët shëndetësorë.

Serbia po përdor vaksinat e krijuar nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech, por edhe vaksinën ruse Sputnik-V.

Vuçic tha se Serbia pritet të pranojë javën e ardhshme edhe 250,000 doza të vaksinës Sputnik-V dhe 20,000 doza të tjera të vaksinës së Pfizerit. Ai po ashtu tha se në muajin qershor, do të marrin edhe doza të vaksinës së kompanisë AstraZeneca dhe të Modernas.

Shteti fqinj, Hungaria pret që rregullatori shtetëror i barnave, të miratojë për përdorim vaksinën e Sinopharm, në mënyrë që të nisë edhe administrimi i saj, pasi Komisioni Europian i dha dritën e gjelbër për të negociuar.

Kina ka miratuar për përdorim vaksinën e Sinopharm në fund të dhjetorit të vitit të kaluar dhe kjo është vaksina e saj e parë e miratuar kundër koronavirusit. Autoritetet kineze nuk kanë publikuar të dhëna të detajuara mbi efikasitetin e kësaj vaksine, por kanë thënë se në bazë të të dhënave që posedojnë, kjo vaksinë ofron 79.34 për qind mbrojtje ndaj COVID-19.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë