Ne rrjet

Në Serbi aktivistët kundër minierës së litiumit Rio Tinto po kërcënohen me vdekje

Kur Aleksandar Matkoviç mori mesazhin kërcënues, mendoi se ishte një shaka. Teksti, i dërguar në llogarinë e tij në Telegram pak pas mesnatës së 14 gushtit, thoshte: “Do të të ndjekim derisa të zhdukesh, llum”.

Matkoviç është një nga aktivistët që kanë qenë në ballë të protestave të përhapura kundër planeve për të ndërtuar një minierë masive litium në Serbi. “Në fillim mendova se dikush po bënte shaka, por gjatë mëngjesit mora një mesazh tjetër, që shkruante “Si po shkon lufta kundër Rio Tintos?” nga një profil tjetër që nuk e njihja, dhe aplikacioni shfaqi distancën që dërguesi i këtij mesazhi ndodhej vetëm 500 metra larg”, shprehet ai.

Matkoviç jeton në Beograd, por ishte në Split për të vizituar një mik, i cili i tha se po e ndiqnin. Referenca për Rio Tinton, minierën e planifikuar të litiumit prej 2.4 miliardë dollarësh në luginën Jadar të Serbisë, që ka shkaktuar protesta të mëdha kohët e fundit, vetëm sa e rriti ndjenjën e tij të alarmit.

“Kur pashë distancën, mendova, ‘çfarë dreqin po ndodh?’ Ideja se dikush mund të më ndiqte ishte rrëqethëse, kështu që kontaktova avokatin tim dhe rreth një orë më vonë mora një mesazh të tretë. Këtë herë ishte super serioze.”

Mesazhi i tretë, i shkruar në një gjermanishte të ngatërruar, thoshte: “Ne i njohim marrëdhëniet tuaja me krerët e revoltës. Ne e dimë se gjithçka buron nga ju. Edhe nëse silleni në një mënyrë tjetër dhe më pas zhdukeni diku, ne do t’ju ndjekim. Do t’ju gjurmojmë dhe nuk mund të kërkoni as ndihmën e policisë, sepse e dini mirë që nuk mundeni, na beso! Mos dil në publik për një farë kohe nëse do që të vazhdosh të shkruash dhe të marrësh frymë. Sillu në mënyrë të përsosur në rrjetet sociale. Duhet të kuptosh se duhet të kesh frikë për veten dhe për vëllain tënd të vogël.”

Në këtë moment, Matkoviç ia raportoi kërcënimet policisë së Beogradit, e cila tani është duke hetuar.

Çështjet në lojë janë komplekse dhe kanë implikime që ndoshta shtrihen shumë përtej zyrës së prokurorit publik të Beogradit.

Fushata kundër minierave të litiumit në Serbi është kthyer shkop në dorën e revoltës sociale, ku janë mobilizuar dhjetëra mijëra njerëz të pakënaqur prej vitesh, duke përfshirë ultra-nacionalistë të zemëruar për integrimin ekonomik me Perëndimin, ambientalistët, të majtët dhe fshatarët të frikësuar se ujërat e tyre nëntokësore do të helmohen.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç paralajmëroi javën e kaluar se forcat opozitare po komplotojnë një “revolucion me ngjyra” ballkanik.

Serbia ka depozita të mëdha litiumi, të cilat janë kritike për bateritë që përdoren për të fuqizuar automjetet elektrike. BE-ja këtë vit nisi lëvizjet për të siguruar që të paktën 10% e mineraleve kritike, si litiumi, që i nevojiten, të nxirren në Evropë deri në vitin 2030.

Julia Poliscanova, drejtoreshë e institutit “Transport dhe Mjedis”, thotë se litiumi është thelbësor për fuqizimin e elektrifikimit të transportit në Evropë. “Megjithatë, është e rëndësishme që ky litium të vijë nga një zinxhir furnizimi i larmishëm dhe, mbi të gjitha, i qëndrueshëm dhe me burim të përgjegjshëm. Serbia mund të jetë një partner i tillë për Evropën. Por politizimi aktual i minierës së planifikuar është i padobishëm.”

Muajin e kaluar gjykata përmbysi një vendim të mëparshëm që kishte bllokuar projektin e minierave të Jadarit. Para pak ditësh, kancelari gjerman, Olaf Scholz, vizitoi Beogradin për të nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me qeverinë serbe në emër të BE-së për të sjellë lëndët e para kritike të vendit në zinxhirin e furnizimit të Evropës.

Matkoviç, i cili qenë një nga aktivistët që bashkëhartoi deklaratën e Jadarit kundër shfrytëzimit të litiumit, thotë se marrëveshje të tilla do ta lidhin Serbinë në një marrëdhënie “neokoloniale” me Evropën. Pak ditë para kërcënimeve me vdekje që mori, ai botoi një letër të hapur në gazetën opozitare “Danas”, duke argumentuar për forma alternative të transportit të gjelbër.

“I gjithë diskursi publik është se automjetet elektrike janë një plumb magjik që do të zgjidhë ndryshimin e klimës, por kjo nuk është saktësisht e vërtetë. Së pari na duhen më shumë investime në transportin publik dhe infrastrukturë. Pastaj, nëse doni t’u përmbaheni automjeteve elektrike, mund të përdorni alternativa si bateritë me jon natriumi dhe bateritë e hidrogjenit”, shprehet ambjentalisti.

Nga ana e vet, Kompania “Rio Tinto” dënoi çdo kërcënim për dhunë ndaj Matkoviçit. Në një deklaratë të kompanisë thuhet: “Rio Tinto dënon fuqishëm çdo kërcënim të drejtpërdrejtë ose të nënkuptuar të dhunës, në internet ose gjetkë, kundër atyre që marrin pjesë në debatin rreth projektit Jadar”.

Në deklaratën e “Rio Tintos”, një shumëkombëshe britaniko-australiane, thuhet gjithashtu se kompania “dënon në termat më të ashpër frikësimin dhe kërcënimet me të cilat janë përballur punonjësit tanë dhe familjet e tyre në Serbi”.

Punonjësit e “Rio Tintos” kanë marrë kërcënime fizike në internet.

Matkoviç nuk ka ndërmend të rrezikojë. Pas një morie të mëtejshme mesazhesh kërcënuese që e kanë lënë pa gjumë, ai ka ndërmarrë hapa për të mbrojtur sigurinë e tij dhe të familjes së tij, duke përfshirë, potencialisht, kërkimin e mbrojtjes në ambasadën e një vendi tjetër evropian në Beograd. Ai thotë se do të kërkojë gjithashtu ndërhyrje nga raportuesi i posaçëm i OKB-së për mbrojtësit e mjedisit.

“Që nga 14 gushti, ditët e mia kanë qenë një përzierje e paqëndrueshme e rutinës dhe kaosit të plotë,” thotë ai. “Si mund të ndodhë që ndonjë nga këto të jetë pjesë përbërëse e strategjisë sonë për zbutjen e ndryshimeve klimatike? Çfarë lloj tranzicioni i gjelbër është ai që duam nëse duhet të vrasim njerëz për ta arritur atë?”

Burimi: The Guardian, Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë