Drejtësia

Në qeli prej dy javësh, kryebashkiaku Erion Veliaj ankimon masën e sigurisë në Apelin e GJKKO

Gazeta Si – Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj i është drejtuar për herë të dytë Apelit të GJKKO, duke dorëzuar prova të reja për argumentet e tij kundër masës së “arrestit me burg”, ku akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

Pas ankimit të vendimit në mungesë të 9 shkurtit të gjyqtarit Erion Bani, që i hapi rrugë arrestimit të tij një ditë më pas, Valiaj kundërshton edhe vendimin e 12 shkurtit ku pas marrjes në pyetje iu la në fuqi kjo masë.

Përmes këtij ankimi, mbrojtja thotë se ka shtuar provat rreth kërkesës së parë, ku gjykata pritet të shprehet njëherësh për të dyja vendimet.

Erion Veliaj mbahet në qeli për korrupsion pasiv në të paktën 9 episode dhe për pastrim parash, kryer në bashkëpunim.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës akuzohet se së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa  ndërtuan një mekanizëm kompleks korruptiv për të përvetësuar fondet publike, të cilat transferoheshin në formë ryshfeti nga kompani kontraktore dhe OJF përfituese të fondeve të Bashkisë së Tiranës.

Në seancën e vlerësimit të masave, GJKKO rinonfirmoi 6 nga 8 masat e sigurisë, përkatësisht arrestin në burg për Erion Veliajn dhe biznesmenin Elman Abule, si dhe 4 masa të tjera detyrim paraqitje për biznesmenët e ndërtimit Shkëlqim Fusha, Gentjan Sula, Fatmir Bektashi e Meriman Palushi.

Për bashkëshorten e kryebashkiakut, gjyqtari Erion Bani zbuti masën nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje, përkundër qëndrimit të prokurorëve Ols Dado e Altin Dumani që kërkuan vijimin e masës. Gjatë seancës Veliaj u deklarua i pafajshëm dhe akuzoi prokurorin Olsi Dado për konflikt interesi.

Një ditë më parë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë reagoi ndaj fyerjeve dhe sulmeve të vazhdueshme që kryebashkiaku Erion Veliaj ka bërë ndaj prokurorit Dado, i cili ndjek çështjen e tij.

KLP i cilësoi denigrimet e figurës së prokurorit si të dëmshme për procesin dhe bëri thirrje për heqjen dorë të presionit ndaj SPAK. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë