Nga Gazeta 'SI' - Euro ka prekur një minimum të ri historik përballë lekut.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, sot (19 nëntor) 1 euro këmbehet me 98.11 lekë.
Edhe dollari me paundin britanik janë zhvlerësuar kundrejt monedhës shqiptare, duke u këmbyer me 92.84 dhe 117.29 lekë, respektivisht.
Fundosja me shpejtësi e euros është kthyer tashmë në një shqetësim edhe për Bankën e Shqipërisë. Përballë deputetëve, zv.guvernatorja Luljeta Minxhozi tha se BSH po bën analiza të thelluara për të gjetur një zgjidhje që do të ngadalësojë rënien e monedhës europiane.
“Në afat të gjatë nuk e dimë se çfarë mund të sjellë. Ne po bëjmë analiza të hollësishme se çfarë i sjell ekonomisë shqiptare zhvlerësimi i shpejtë, ky është problem, ritmi i shpejtë, jo zhvlerësimi. Kjo është një problematikë që ne po përpiqemi ta analizojmë dhe të propozojmë një mënyrë për ta ngadalësuar”, tha Minxhozi në komisionin e Ekonomisë.
Nga ana tjetër, qeveria e ka “shijuar” rrënimin e euros, fenomen që kontribuoi me 45% në rënien e borxhit publik të Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.