Nga Gazeta Si- Edhe pse nga qeveria u tha se TikTok do të mbyllet për një vit, aplikacioni është rikthyer, 3 muaj pasi u mbyll.
Përdoruesit në të gjithë vendin kanë pasur ditën e sotme akses të plotë në aplikacion, pa pasur nevojë të përdorin VPN.
“TikTok është shumë toksik, veçanërisht për fëmijët dhe 95% e prindërve në Shqipëri janë të tmerruar”, tha kryeministri Edi Rama në një nga deklaratat e shumta që dha 1 vit më parë në lidhje me mbylljen e TikTok.
Në një tjetër deklaratë, Rama tha se vendimi për mbylljen e TikTok për një vit u mor nga 1300 takime në të gjithë vendin, ku morën pjesë 65.000 prindër dhe nga anketimi, doli se mbi 90 për qind e prindërve kërkuan mbylljen e TikTok në Shqipëri. Ndërkohë, këto 65 mijë prindër sot janë përballur me aksesin në aplikacionin që kërkuan të mbyllej.
Për këtë ndryshim nuk ka ende asnjë reagim dhe mbetet e paqartë nëse kompania kineze ka plotësuar kërkesat për ta bërë një ambient më të sigurt, edhe pse nga qeveria u tha se do ketë konsultime që kërkojnë kohë, apo nëse TikTok është hapur njësoj siç ka qenë, me të njëjtat rreziqe që prindërit dhe qeveria donin të shmangnin.
Një tjetër paqartësi që e mbulon këtë ndodhi, është se në fillim qershori, Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Asociacionit për Gazetarët Shqiptarë për shqyrtimin e vendimit të qeverisë për mbylljen e TikTok, por ka rrëzuar pezullimin e menjëhershëm të tij.
Kështu, disa ditë pasi Gjykata Kushtetuese vendos se pezullimi i TikTok duhet të vazhdojë dhe duhet të presim vendimis pas konsultimeve, njerëzit kanë akses të plotë.
Pas mbylljes së TikTok, Asociacioni i gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar ku u shprehen se ky vendim është ekstrem dhe i pajustifikuar. Sipas tyre ky hap cënon të lirinë e shprehje së qytetarëve.
Mbyllja e TikTok erdhi pas ngjarjes së rëndë ku humbi jetën 14-vjeçari Martin Cani por më herët, Reuters ka shkruar se mbyllja e TikTok ka ardhur për shkak të zgjedhjeve.
Ndërsa Ruslan Stefanovlan, drejtor programi në Qendrën për Studimin e Demokracisë në Sofje, tha se faturimi i TikTok për tragjedinë “është një veprim tipik populist”.
“Mungesa e procesit të rregullt ose provave të forta që mbështesin ndalimin e planifikuar është emblematike e korrupsionit sistemik të vendit dhe dobësive institucionale”, tha Stefanovlan.
Një zëdhënës i TikTok tha se nuk kishte gjetur “asnjë provë që autori ose viktima kishin llogari të TikTok dhe raportet e shumta në fakt kanë konfirmuar që videot që çuan në këto incidente po postoheshin në një platformë tjetër, jo në TikTok”.
Por Rama tha se TikTok, “është shumë më i fortë, shumë më ndikues, shumë më tërheqës, si ai rrugaçi i lagjes që është në telefon dhe që quhet TikTok. TikTok-u është rrugaçi i lagjes! Kemi frikë kur fëmija shoqërohet me të kur del nga shtëpia. Ne TikTok-un do ta mbyllim për një 1 vit. Rrugaçë, perversitete, llum e qenëri nuk sheh në TikTik-un e Kinës”, tha Rama, duke shtuar për 1 vit, “TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do ketë”.
Por, faktet tregojnë se ka dhe rrugaçi i lagjes është përsëri mes nesh!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.