Drejtësia

Në pritje të vendimit të Apelit, Fredi Beleri bën rekurs në Gjykatën e Lartë

Gazeta Si - Fredi Beleri nuk dorëzohet së kërkuari pafajësi. Edhe pse u zgjodh eurodeputet i Greqisë nga qelia, ai ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, ku ka kundërshtuar vendimin e SPAK për “mosfillim procedimi penal” mbi kallëzimin e bërë prej tij gjatë hetimit paraprak për “falsifikim” dhe “shpërdorim të detyrës”.

Sipas burimeve, në kallëzim Beleri pretendonte falsifikim të dëshmisë së penalitetit dhe regjistrit të procedimeve të Prokurorisë Vlorë.

Vendimmarrjen e SPAK për të mos nisur hetim penal, Beleri kundërshtoi fillimisht në Gjykatën e Posaçme në Apel dhe së fundmi në Gjykatën e Lartë.

Aktualisht Fredi Beleri është në pritje të vendimit të Apelit të Posaçëm për dënimin e dhënë ndaj tij nga Shkalla e Parë për blerje votash që e ka dënuar me 2 vite burg.

Tre ditë më parë, më 14 qershor Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dëgjoi çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri dhe njoftoi shpalljen e vendimit më 25 qershor, ora 13:00.

Bashkë me Belerin në gjyq është edhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi. Beleri dhe Kokaveshi kërkojnë pafajësi për akuzën për blerje votash pasi janë dënuar në shkallën e parë, me 2 dhe 1 vit e gjashtë muaj burg respektivisht. Vendimi i Kokaveshit është i pezulluar me shërbim prove për tre vjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë