Filma

Në pritje të Oscar, parashikimet dhe favoritët e natës më të shumëpritur të vitit

Perdja është gati të ngrihet në ceremoninë më të shumëpritur të vitit: pritja për të takuar fituesit zyrtarë natën mes të dielës dhe të hënës, parashikimet dhe thashethemet për kandidatët për statujat më të lakmuara në universin kinematografik po çmendin të gjithë botën.

“The Hand of God” nga Paolo Sorrentino

Shumë e vështirë, në mos e pamundur, fitorja e “The Hand of God” nga Paolo Sorrentino si filmi më i mirë ndërkombëtar: praktikisht i sigurt suksesi i japonezit Ryusuke Hamaguchi me “Drive My Car”, pas triumfeve të arritura në Golden Globes dhe Bafta. Për pushtimin e Oscar-it më të rëndësishëm, atij për filmin më të mirë, favorit është “The power of the dog” nga Jane Campion, një titull tashmë shumë i vlerësuar që nëse fiton Oscar-in, ky çmim vjen si qershia mbi tortë në rrugëtimin e saj të gjatë triumfal.

Titujt që mund ta minojnë atë? “Coda”, “Belfast” dhe me më pak shanse “West Side Story”, por suksesi i tyre do të ishte befasues. Jane Campion pritet të fitojë gjithashtu regjisorin më të mirë, duke u bërë gruaja e tretë që fiton statujën e lakmuar pas Kathryn Bigeloë për “The Hurt Locker” dhe Chloe Zhao për “Nomadland”.

Aktoret dhe aktorët

Një sfidë e madhe është ajo për Oskarin për Aktoren më të Mirë: Jessica Chastain (“The Eyes of Tammy Faye”) mund të fitojë, por ajo do të duhet të jetë shumë e kujdesshme me Nicole Kidman (“Being the Ricardos”) dhe Kristen Stewart (“Spencer”), të dyja me një shans për fitore.

Më pak interesante duket të jetë mosmarrëveshja për Oscar për aktorin më të mirë kryesor me Will Smith (“King Richard”) dukshëm përpara kundërshtarëve të tij. Mes joprotagonistëve, shumë e preferuara Ariana DeBose si aktorja më e mirë për “West Side Story”, ndërsa mes aktorëve është e mundur kokë më kokë midis Kodi Smit-McPhee (“The Power of Dog”) dhe Troy Kotsur (“Coda”).

Kategoria e filmit më të mirë të animuar

Për regjisorin gjenovez Enrico Casarosa në kategorinë e filmit më të mirë të animuar, “Luca” e tij vështirë se do të arrijë statujën që duket gati për “Encanto”, klasik i ri i Disney. Suksesi i Massimo Cantini Parrinit për kostumet më të mira me “Cyrano” është gjithashtu shumë i vështirë: statuja mund të shkojë te “Cruella” ose te “Dune”.

Filmi shumë i bukur “Flee”, i nominuar për tri Oscar, mund të jetë zgjedhja e duhur për dokumentarin më të mirë, edhe nëse do t’i duhet të përballet me konkurrencën e fortë të “Summer of Soul”.

Çmime të tjera

Nëse për skenarin më të mirë joorigjinal “The Power of Dog”, duhet të fitojë sërish (por kushtojini vëmendje skenarit të jashtëzakonshëm të “Drive My Car”), një sfidë e këndshme mes dy personave është ajo për statujën për skenarin më të mirë origjinal në mesin e “Licorice Pizza” nga Paul Thomas Anderson dhe “Belfast” nga Kenneth Branagh.

Disa Oscars teknikë mund t’i sjellin në shtëpi “Dune” i Denis Villeneuve (nga redaktimi në fotografi, duke kaluar nëpër efekte speciale, zë dhe kolonë zanore), ndërsa statuja për këngën më të mirë mund t’i shkojë “No Time to Die” nga Billie Eilish dhe Finneas O’ Connell, tashmë fitues i kategorisë Golden Globe.

Marrë nga Il sole 24 ore, përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë