Presidenti Aleksandër Vuçiç duket se ka shënuar një fitore dërrmuese në zgjedhjet parlamentare gjatë fundjavës, duke forcuar pozicionin e tij përpara negociatave të paqes me Kosovën. Ndërkohë që pala shqiptare do të përfaqësohet nga një qeveri që nuk gëzon mbështetjen masive në opinionin publik të Kosovës dhe një president që kërkon të marrë frenat e dialogut, pala serbe do të përfaqësohet nga një president me mbështetje maksimale.
Me mbajtjen e zgjedhjeve të 21 qershorit, Vuçiç “eliminoi” opozitën nga skena politike e Serbisë, duke fituar 61 për qind të votave, i ndjekur nga aleati i tij, Ivica Daçiç me rreth 10 për qind të votave. Ndërkohë që festonte fitoren, Vuçiç shtroi tapetin për përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Serbi-Kosovë, Mirosllav Lajçak dhe pritet të niset për një udhëtim në Moskë një ditë më pas.
“Atëherë nuk e di nëse do të shkoj fillimisht në Bruksel apo Uashington,” tha Vuçiç pasi shpalli fitoren. “Unë kam qenë në politikë për një kohë të gjatë, por kurrë nuk kam jetuar një moment si ky,” tha Vuçiç. “Sonte fituam besimin e të gjithë njerëzve në Serbi.”

Mandati i ri katërvjeçar vjen në mes të përpjekjeve të intensifikuara ndërkombëtare për të rifilluar dialogun me Kosovën, nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Richard Grenell, i dërguari special i SHBA për negociatat e Serbisë dhe Kosovës, tha më 15 qershor se kishte marrë “dritën jeshile” nga Vuçiç për të nisur negociatat e paqes me Kosovën. Udhëtimi i Vuçicit në Moskë për një takim me Presidentin rus Vladimir Putin pritet të fillojë tre ditë para takimit të planifikuar të Shtëpisë së Bardhë. Siç e ka bërë të qartë, Vuçiç do të konsultohet me Moskës përpara çdo pakti që mund t’u vihet përpara nga Shtëpia e Bardhë në lidhje me Kosovën.
Ai do të ulet në tavolinën e negociatave përballë Avdullah Hotit, i cili mori detyrën në fillim të këtij muaji pas shkarkimit të Albin Kurtit, por nuk gëzon mbështetjen totale të publikut. Vuçiç nga ana tjetër gëzon mbështetje të kënaqshme, jo vetëm për të miratuar marrëveshjen e ardhshme me Kosovën në parlamentin serb, por edhe për të heshtur të gjithë ata që mund të kundërshtojnë këtë marrëveshje.

Kritikët politikë në Serbi thonë se opozita nuk ekziston më. Socialistët e Daçiç, që dolën partia e dytë më e madhe në vend, duke marrë 11 përqind të votave, janë bashkëlojtarë në lojë me Vuçiç. Presidenti dhe Daçiç, ish-ministër i Jashtëm dhe ish-kryeministër Serbisë, kanë formuar një bosht të fuqishëm politik që e ka udhëhequr Serbinë që pas rënies së Sllobodan Millosheviçit. Vuçiç e ka cilësuar shpesh Daçiç si mentorin e tij politik gjatë kohës që ishte ministër i Informacionet, në kohën e ish-Jugosllavisë. Mes shumë të tjerash, dy politikanët i bashkon edhe qasja e egër ndaj Kosovës.
Profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Evropian me seli në Beograd, Sllobodan Zeçeviç, i tha agjencisë së lajmeve Reuters që “nëse marrim parasysh numrin e votave (të fituara nga partia e Vuçiçit) … ne po shkojmë drejt sistemit të Koresë së Veriut apo Kinës”.
Ai thekson se është gabim që rezultati historik i zgjedhjeve të interpretohet si dëshmi e besimit që i jepet presidentit. “Partia e tij nuk është forcë politike që mund të konkurrojë në një sistem pluralist, ku partitë konkurojnë me ide dhe argumente në favor të zgjedhësve. Ajo nuk është parti dokudo, por është Partia, një aparat shtetëror, siç ka qenë dikur Partia Komuniste”, shprehet Zeçeviç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




