Vazhdimi i seancës maratonë për paketën fiskale dhe projekbuxhetin e vitit të ardhshëm u ndërpre pas tensioneve dhe përplasjes mes deputetit të PD, Ervin Salianji dhe atij të PS, Erion Braçe.
Përplasja filloi kur në foltore po fliste deputeti demokrat. Ai hodhi akuza ndaj disa deputetëve socialistë si të përfshirë në afera korruptive miliona-euroshe. Mes atyre që akuzoi ishte edhe Erion Braçe.
“Ky zotëria që del dhe bën si më i shqetësuari del në përgjimet e prokurorisë italiane për Rezart Taçin. A je ti zv.kryeministri që del në përgjime?!”, i drejtohet Salianji ish-zv.Kryeministrit Braçe.
Akuzat e tij kanë shkaktuar reagimin nga vendi të Erion Braces. Në këtë moment, Salianji ka shpërthyer në ofendime personale. “Mos m’u drejto mua si kone se je mësuar me këta ti. O kone! Mos m’u drejtua mua, o kone”, tha Salianji.
Pas këtyre fjalëve, Braçe ka lënë vendin e tij në sallë dhe i është drejtuar foltores, ndërsa Salianji ka lënë foltoren dhe që të dy janë nisur për t’u përplasur fizikisht. Përplasja është shmangur nga ndërhyrja e Gardës, ndërsa kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ndërpreu seancën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.