Palestra, një arratisje dhe strehë në jetën e përditshme për miliona njerëz, është bërë një tjetër burim ankthi në epokën e koronavirusit. Ndërsa rastet me Covid-19 po rriten në SHBA, zyrtarët e shëndetësisë po u bëjnë thirrje njerëzve të praktikojnë distancën sociale. Kjo mund të bëjë që klasat me ushtrime dhe seancat e jogës të duken më të dëmshme sesa të shëndetshme. Megjithatë, shumë fanatikë të fitnesit dëshirojnë akoma edhe më shumë të kryejnë ushtrime dhe po vazhdojnë me të njëjtën rutinë, ndërsa marrin masa parandaluese.
Toni Maloney, menaxheri i qendrës së fitnesit në Institutin Kombëtar të Fitnesit dhe Sportit në Indianapolis, thekson se njerëzit duhet të ushtrohen tani më shumë se kurrë. “Kur nivelet e endorfinës rriten, mund të kundërveprojnë ndaj stresit, i cili është aq i dëmshëm për sistemin imunitar,” thotë ai. “Ushtrimi gjithashtu përmirëson shëndetin mendor. Kur ndjeheni të mërzitur ose të stresuar, stërvitja mund të sjellë buzëqeshjen në fytyrën tuaj”.
Madison Mitteness ende guxon me rutinën e ushtrimeve në palestrën e saj në New York City, por thotë se nuk do t’i prekë pajisjet nga frika e mikrobeve. Logjika e saj, se sa më shumë njerëz prekin objektet e përbashkëta, aq më i lartë rreziku i tyre për të transmetuar një virus, nuk është e pabazuar. Por sipas Qendrës të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, koronavirusi përhapet më lehtë në mesin e njerëzve që qëndrojnë afër njëri tjetrit jo më larg se të paktën rreth 2 metra, sesa përmes kontaktit me sipërfaqet e kontaminuar. Pastrimi dhe dezinfektimi i sipërfaqeve duket se ul shanset e transmetimit. Gregory Polonia, drejtori i Grupit të Kërkimeve të Vaksinave në Klinikën Mayo në Rochester, Minn, thotë se palestra nuk është domosdoshmërish më e rrezikshme se çdo zonë tjetër e përbashkët, por njerëzit duhet të qëndrojnë vigjilentë. Taktika e tij në palestër ka qenë që të përdorë dezinfektuesin e duarve – të paktën 60% me bazë alkooli, çdo herë që prek një pajisje. Në përgjithësi, gjërat si peshqirët e palestrës, thotë ai, janë më pak të rrezikshme, pasi më pak njerëz të sëmurë i prekin ato. “Nëse dikush me virus ka kollitur ose teshtirë dhe më pas prek një objekt, ekziston një shans i rritur i transmetimit, por jo më shumë se gripi,” thotë ai. Në katër muajt e fundit ka pasur mbi 800 raste të koronavirusit të ri në SH.B.A. Nëse jetoni në një qytet me raste infektimi, Dr. Poland sugjeron të evitoni palestrën dhe të merrni sasinë tuaj të endorfinës në shtëpi përmes një klase në internet ose aplikacioni në internet. Ushtrimi në natyrë është gjithashtu i sigurt, thotë ai, për sa kohë që ju mbani një distancë nga njerëzit. “Një triathlon ku ju jeni ngjitur me të tjerët nuk do të ishte diçka e zgjuar,” thotë ai.
Sidoqoftë, nëse jetoni diku që nuk ka pasur raste infektimi, ai sugjeron të merrni të njëjtat masa paraprake që merrni gjatë sezonit të gripit. Ai rekomandon marrjen e një vaksine ndaj gripit dhe të ushtroheni jashtë në zona me distance të paktën 1 – 1.5 metra nga njerëzit e tjerë dhe pajisjet. Duart nuk duhet vetëm të shpërlahen me ujë. Duart duhet të lahen për të paktën 20 sekonda . “Asnjëherë nuk kam parë që një person të lajë duart siç duhet,” thotë ai. “Ju vendosni majën e gishtave, jo pëllëmbët, në sytë, në hundën ose në gojën tuaj. Askush nuk i lan majat e gishtave ”.
Palestrat dhe studiot e fitnesit në të gjithë vendin kanë rritur mesazhet për higjienën dhe masat higjienike, për të qetësuar anëtarët e tyre. Barry’s Bootcamp këshilloi klientët të shmangnin “puthjet, përqafimet dhe përdorimin e përbashkët të gotave dhe shisheve të ujit” në palestër. Dhe Equinox thotë se po dezinfekton tre herë në ditë të gjitha klubet me lëndë që përdoren në spitale. Kërkohet nga instruktorët të eliminojnë kontaktin e drejtpërdrejtë, në joga.
Keith Worts, CEO e Crunch Signature, thotë se kompania nuk ka parë ndonjë ndryshim në përdorim gjatë tre javëve të fundit. “Ndryshimi më i madh i sjelljes që kemi parë është se më shumë njerëz fshijnë pajisjet e tyre para dhe pas përdorimit,” thotë ai. Kate Pallardy, një garuese elitare dhe anëtare e Klubit Sportiv të New York, thotë se gjithmonë i ka larë duart para dhe pas stërvitjes. “Për mua, kjo është si frikërat që kemi pasur me Zika, SARS ose gripin,” thotë ajo. “Asnjë virus nuk do të më ndalojë kurrë të ushtrohem.”
KËSHILLA PËR TË MBAJTUR VETEN TË SHËNDETSHËM
Përhapja e vazhdueshme e koronavirusit ka vendosur higjienën më plan të parë të gjithkujt. Palestrat dhe studiot e fitness po kërkojnë nga anëtarët që të ndjekin udhëzimet e CDC për të parandaluar përhapjen e Covid-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi.
Përtej larjes së duarve shpesh me sapun dhe ujë për të paktën 20 sekonda dhe mosprekjes së syve, hundës dhe gojës me duar të palara, ja çfarë kompanitë e fitnesit dhe ekspertët e shëndetit po sugjerojnë që njerëzit të bëjnë për të qëndruar të pastër gjatë ushtrimeve:
* Nëse ju ose dikush në familjen tuaj është i sëmurë, qëndroni në shtëpi.
* Kur kollisni ose teshtini, mbuloni gojën me letër dhe më pas hidheni letrën në kosh të plehrave.
* Shmangni dhomën e saunës dhe avullit. Njerëzit me ftohje i përdorin shpesh liruar kongjestionin në sinuset dhe mushkëritë.
* Përdorni peceta dezinfektuese të disponueshme në palestër për të fshirë pajisjet para dhe pas çdo përdorimi.
* Për pastrimin e sipërfaqes, kontrolloni me palestrën tuaj për të parë nëse produktet e saj thonë “dezinfektues” në etiketë dhe përfshijnë një numër regjistrimi EPA.
* Përdorni dezinfektuesit e duarve që kanë të paktën 60% alkool.
* Merrni me vete tapetin tuaj të jogës.
* Shmangni kontaktet siç janë ndihmat me prekje, dhënien e kartave të anëtarësimit në check-in ose përshëndetjen me duar instruktorët.
* Shmangni klasat plot me njerëz, në të cilat njerëzit janë ngjitur me njëri-tjetrin. Mundohuni të ruani 2 metra largësi nga njerëzit e tjerë.
* Bëni ushtrime në shtëpi duke përdorur një litar kërcimi ose një aplikacioni ose me anë të internetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



