Nga Megi Iskurti – “Kush nuk ka parë Lurën, nuk njeh Shqipërinë.”-ndërmend citatin e Fishtës, Llesh Doçi, mësuesi fisnik i i cili ka ngritur bujtinën e tij në Lurën e “harruar” duke dëshmuar se edhe thellë nëpër Shqipëri një investim i mençur ka mbase efekt më të madh edhe se fshati ku është ndërtuar.
Ndryshe nga shumë të tjera në Shqipëri të cilat kanë si qëllim maksimizimin e fitimit , në bujtinën “Oxhaku i Doçit” paguhej aq “sa i lind në zemër” klientit sepse mentaliteti i zonës dhe i një familje mikpritëse si ajo e Lleshit “nuk e jep bukën me pare.”
Një bujtinë ku fjalën e fundit për çmimet e vendosnin klientët ishte një gjë që erdhi e re në Shqipëri e që padyshim nxit vëmendjen e gjithësecilit që e dëgjon.
Kur e pyes se si lindi ideja për të ngritur këtë bujtinë e cila dallon nga të tjerat në Shqipëri, Lleshi më rrëfen që e gjitha erdhi nga dëshira për të mbajtur gjallë traditën familjare, atë të mikpritjes.
“Familja ime ka qenë shumë e madhe. Ndër breza, gjyshërit, prindërit dhe të afërmit e mi kanë hapur dyert duke mirëpritur ashtu siç bëjnë vetëm dibranët. Ishte shumë e vështirë për mua që isha rritur në një familje të tillë të vendosja çmime standarde për ushqimin. Ne i ftonim turistët të na vizitonin dhe të shijonin bukuritë e Lurës dhe ata na linin një shumë simbolike në varësi të përshtypjeve dhe mbresave që kishin marrë nga bujtina. Turistët e huaj sidomos nuk e konceptonin fare të pasurit një shërbim falas dhe gjithmonë pa hezitim kanë paguar për të gjithë eksperiencën aty”, tregon Lleshi për Gazetën “Si”.
E veçanta tjetër e kësaj bujtine që po ashtu nuk haset nëpër Shqipëri është se aty kanë bashkëjetuar katolikë dhe myslimanë bashkë, ku njëri nga vëllezërit i përkiste besimit mysliman e tjetri atij katolik e ku ende sot janë ruajtur me fanatizëm ndër breza sendet dhe enët e ndryshme që përdoreshin për të dy llojet e besimit.
Teksa më rrëfente këtë, ai në mënyrë indirekte më jepte provën e fortë të tolerancës fetare që karakterizon Shqipërinë, ashtu siç në Lurë bashkëjeton ahu me pishën, ashtu kanë bashkëjetuar të dy besimet nën të njëjtin tavan.
Kulla e Doçit 200 vjeçare, e njohur gjerësisht në Dibër e që i përkiste familjes së Lleshit ishte arsyeja përse ai dëshironte që ta dërgonte më tej jetëgjatësinë e saj dhe që e nxiti për të ndërtuar krahas edhe një bujtinë druri për të mirëpritur turistët.
Bujtina e cila vjen gjithmonë aromë e mirë ushqimi e ku mund të shijosh bukurinë që Lura të servir, mbledh shpesh rreth tryezës të rinj që këndojnë me çifteli këngë tradicionale të zonës duke krijuar një atmosferë gjithëpërfshirëse edhe për turistët, numri i të cilëve ka ardhur në rritje ndër vite.
Suksesi i “Oxhakut të Doçit“që të bën të ndihesh si në shtëpi ka nxitur Lleshin të marrë iniciativën për të ngritur një tjetër bujtinë e cila është financuar nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, që do të jetë “më elitare”, me më shumë dhoma fjetje dhe më shumë hapësirë.
Një mikpritje e ngrohtë që nuk cënohet nga një listë e ftohtë çmimesh, ka ndikuar ngahera jo vetëm në numrin por edhe në karakteristikat e turistëve.
Kulla dhe bujtina janë vizituar jo vetëm nga turistë të thjeshtë e shumë bujarë por edhe nga ambasadorë, profesorë të nderuar e poetë ku ndër të tjerë ai përmend Fishtën, Edith Durham e Kadarenë në vitin 1967.
“Kur Gjergj Fishta në 1914 vizitoi Kullën e Doçit ai u shpreh për gjyshin tim se ‘kam takuar filozofin e pashkollë’ kjo për arsye se ai ishte autodidakt në dijet e tij.”-më tregon Lleshi duke më krijuar sfondin e duhur panoramik të një familje intelektuale që në gjenezë.
Ndonjëherë specifikat e veçanta të një investimi e “mundin” edhe infrastrukturën e zonës që lë për të dëshiruar e që nuk favorizon zhvillimin ekonomik.
Përveç ushqimit, oborri me frojde druri, ndërthurja e frengjisë së gurit me atë të drurit, oxhaku tradicional e çatia e mbuluar me rrasa si kështjella në miniaturë janë elementë që tërheqin vizitorët edhe në këtë zonë të thellë malore të Shqipërisë.
Oxhaku i Doçit është shembulli i duhur se si një investim interesant mund t’i japë jetë gjithë zonës e këtë na e dëshmon pikërisht Lleshi i cili është kthyer në Lurë pesë vite më parë dhe rrëfen për gazetasi.al se do të kalonte atje edhe pesë jetë të tjera.
Dyert e kësaj bujtine janë gjithnjë të hapura për vizitorët.
Në verë aty mund të shijosh ujin e ftohtë nga burimet, kosin me mjaltin që Lleshi vetë e mbledh ndërsa në dimër çajin e ngrohtë të malit e gatimet e përgatitura në saç.
Infrastruktura, largësia dhe vendndodhja jo gjithmonë janë një disavantazh kur ti di të investosh kreativitet dhe dashuri…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.