Nga Gazeta ‘SI’- Në një vit, skema shtetërore e sigurimeve shoqërore në vend u rrit me vetëm 3%.
Shifrat e Institutit të Sigurimeve tregojnë se për 2024-n, janë shtuar pak më shumë se 22 mijë kontribues duke e ccuar numrin total në 805 mijë persona.
Të ardhurat kontributive për të njëjtën periudhë kaluan planin e ISSH-së dhe u realizuan në masën 139.4 mld lekë.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Administrativ të ISSH-së, ku u shqyrtua dhe u miratua rezultati financiar i vitit 2024, zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, vlerësoi këtë rritje si një arritje të rëndësishme drejt përmirësimit të stabilitetit financiar të sistemit.
“Ky është një hap pozitiv në përpjekjet tona për të rritur nivelin e përfshirjes në skemë. Numri më i lartë i kontribuesve do të ndihmojë në fuqizimin e fondeve dhe në garantimin e stabilitetit afatgjatë të sistemit të sigurimeve shoqërore,” deklaroi Manjani.
Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i ISSH-së, Astrit Hado, e cilësoi këtë rritje si rezultat të një administrimi të mirë dhe të disiplinuar të skemës.
“Ky është një sinjal i mirë për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit. Rritja e kontribuesve tregon për angazhimin dhe punën e vazhdueshme të administratës sonë për të menaxhuar në mënyrë të qëndrueshme skemën,” u shpreh Hado.
Qeveria vijon bashkëpunimin me Bankën Botërore për një formulë të re pensionesh por ende nuk ka detaje publike. Rritja e moshës së daljes në pension është i vetmi ndryshim i konfirmuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.