Nga Gazeta ‘Si’- Për nëntorin, numri i turistëve që vizituan Shqipërinë u rrit me 43.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në publikimin e INSTAT për strukturat akomoduese të dhënat tregojnë se numri i vizitorëve rezident është rritur me 26% ndërsa numri i vizitorëve jo-rezident është rritur me 60.3%.
Me prurjet e turistëve, janë rritur edhe netë qëndrimet. Krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar, numri i tyre është rritur me 77.8% ku zgjerimin më të lartë e kishte rritja nga jo-rezidentët me 97.5%.
Qendra ka qenë rajoni i preferuar i vizitorëve ku numri i netë qëndrimeve u rrit me 91.5 %. Sipas tur-operatorëve turistikë kjo lidhet me turizmin kulturor dhe historik. Ata shpjegojnë se në muajt e dimrit Tirana dhe Durrësi janë qytetet kryesore që vizitohen nga turistët.

U rrit ndjeshëm norma e shfrytëzimit të dhomave
Normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë.
Gjatë nëntorit, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 12.7 %, kundrejt 9.7 % që ishte në të njëjtën periudhë të vitit më parë.
Ndërsa norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 16.2 %, kundrejt 9.1 % që ishte nëntorin e vitit të shkuar.
Shqipëria në nëntor u vizitua nga 547.221 turistë të huaj, rritje me 52.7% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Hyrjet më të larta ishin kryesisht nga Europa Jugore dhe ajo Perëndimore.
Për gjithë 2023-shin vendi ynë u vizitua nga 10 milionë turistë duke shënuar vitin më të mirë historik të turizmit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




