Ngjarje

Në Montreal event dedikuar Vjosës, IUCN certifikon punën për shpalljen ‘Park Kombëtar’

Nga Gazeta Si- Procesi i studimit të shpalljes së lumit Vjosa si “Park Kombëtar” është certifikuar nga IUCN (Unioni Ndërkombëtar i Mbrojtjes së Natyrës). Ceremonia është zhvilluar në Montreal të Kanadasë, gjatë Samitit Ndërkombëtar të Biodiversitetit COP15, ku kanë marrë pjesë Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, Drejtori Ekzekutiv i kompanisë amerikane Patagonia Ryan Gellert, zëvendësministri i Mjedisit i Greqisë Georgios Amyras, si edhe përfaqësues të IUCN, ministra mjedisi dhe përfaqësues të organizatave.

“Krenare që i gjithë procesi është kryer sipas standardeve të përcaktuara nga Unioni Ndërkombëtar i Mbrojtjes së Natyrës. Faza e parë e këtij procesi ka përfunduar tashmë, dhe në janar 2023 nisim procedurat ligjore në qeveri për shpalljen e Vjosës “Park Kombëtar” sipas standardeve të IUCN”, ka thënë Kumbaro.

Ministrja Mirela Kumbaro deklaroi se pas takimit të kryeministri Edi Rama me homologun grek Kyriakos Mitsotakis, edhe pjesa fillestare e lumit që buron në Greqi, i quajtur Aos, do të ndjekë të njëjtën rrugë për të krijuar kështu një park ndërkufitar mes dy vendeve. Ky zotim u konfirmua gjatë eventit edhe nga zëvendësministri grek i mjedisit Georgios Amyras.

Drejtori Ekzekutiv i Patagonia, Ryan Gellert u shpreh entuziast për punën që është bërë brenda një viti, duke realizuar një kauzë ndërkombëtare, siç është mbrojtja e lumit të fundit të egër në Europë.

Puna për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar nisi zyrtarisht në muajin qershor, pas marrëveshjes së Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë dhe kompanisë Patagonia, duke ngritur një grup prej 30 ekspertësh vendas dhe të huaj nga të gjitha fushat si eko-turizmi, planifikimi dhe menaxhimi i parkut, financimi i qëndrueshëm, legjislacioni mjedisor, komunikimi dhe promovimi, si dhe vlerësimi i ndikimit në mjedis.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë