Irena Beqiraj

Ne mësojmë më shumë për veten mëngjesin pas tërmetit


Efektet ekonomike e fatkeqësive natyrore zakonisht shprehen në terma fizikë, shkatërrimi i aseteve, humbjet e të korrave, kostot e rindërtimit etj.  Megjithatë, përjetimi i një fatkeqësie ndikon te njerëzit psikologjikisht dhe emocionalisht, duke i shtyrë ata të mendojnë ndryshe, të veprojnë ndryshe dhe të ndryshojnë mënyrën se si marrin vendime, duke përfshirë këtu edhe vendimet ekonomike.

Në këtë kuptim, ndikimet psikologjike të një fatkeqësie vazhdojnë të kenë ndikime të thella socio- ekonomike shumë kohë pas përfundimit të fatkeqësisë. 

1. Pas tërmetit sjelljet janë në kundërshtim me të menduarin standard ekonomik.

Për shkak se fatkeqësitë natyrore sjellin shkatërrim dhe vështirësi, njerëzit që jetojnë në zona të prirura nga katastrofat duhet të mbrohen kundër tyre. Nocioni i "kursimit për një ditë më të keqe" është i rrënjosur thellë në të menduarit tonë kolektiv. Kështu, shumica e teorive ekonomike do të parashikonin se ata që kanë përjetuar një katastrofë do të kërkonin të mbroheshin nga fatkeqësia tjetër, për shembull duke rritur kursimet e tyre. Por studiuesit kanë provuar krejt të kundërtën.

Ata zbuluan se, njerëzit që i kishin shpëtuar tërmetit, edhe që jetonin më afër epiqendrës, prireshin të ulnin kursimet e tyre, të rrisnin konsumin e pijeve dhe të argëtoheshin më shumë, edhe kjo nuk vinte si rezultat i ndryshimeve në të ardhurat e tyre.

2. Tërmetet i bëjnë burrat më tolerantë ndaj riskut!

Pas tërmetit të madh të Japonisë Lindore në vitit 2011, studiuesit hulumtuan preferencat e individëve karshi riskut pasi ata kanë përjetuar një fatkeqësi natyrore. Të dhënat e analizuara, treguan se burrat që jetonin në zonat që përjetuan intensitetin më të madh të tërmetit bëheshin më tolerantë ndaj riskut një vit pas tërmetit. Është interesant fakti se efektet mbi preferencat ndaj riskut ishin thuajse të njëjta edhe pesë vjet pas tërmetit.

Për më tepër, këta burra filluan të luanin më shumë kumar, gjë që është në përputhje me drejtimin e ndryshimeve në preferencat karshi riskut. Një sjellje  e tillë nuk u vu re tek gratë.

3. Tërmetet parashikojnë martesat dhe divorcet!

Një studim i kryer në Kinë mbi efektet që shkaktojnë humbjet e tërmeteve tek faktorët demografikë, ekonomikë dhe socialë, ka treguar se tërmetet shoqërohen me rritje si në normat e martesave ashtu edhe të divorceve.  Rezultatet janë shumë domethënëse.Dyfishimi i humbjeve nga tërmetet rrit martesat me 1.92 për qind dhe divorcet me 6.12 për qind ne vitin e parë. Meqenëse elasticiteti i martesave është më i vogël se ai divorceve, humbjet për shkak të tërmeteve mund të ndikojnë në paqëndrueshmërinë familjare.  Për më tepër, këto efekte rriten në vitin e dytë, edhe nuk mund të gjurmohen më shumë se tre vjet pas katastrofës.

Pra, ne mësojmë më shumë për veten mëngjesin pas tërmetit.


Copyright © Gazeta “Si”