Analize

Në Maqedoninë e Veriut fillon sot numërimi mbrapsht për formimin e qeverisë

Maqedonia e Veriut mban sot seancën e parë parlamentare pas zgjedhjeve të parakohshme, por edhe pse kanë kaluar gati tre javë nga votimi, negociatat duket se vazhdojnë të jenë ende në pikën zero. Megjithatë, sot duket se fillon numërimi mbrapsht.

Socialdemokratët e ish-kryeministrit Zoran Zaev fituan me një diference prej dy deputetësh kundër nacionalistëve të VMRO DPMNE-së dhe formimi i një koalicioni qeverisës do të jetë i vështirë, pasi partia më e madhe shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, kërkon që qeverinë ta udhëheqë ajo. Duke kandiduar me moton “erdhi koha për kryeministrin shqiptar” , BDI dhe kandidati i saj, Naser Zyberi morën 15 deputete. Ndërkohë, të gjitha partisë shqiptare së bashku morën për herë të parë 33 deputetë.

Dy vite më parë, formimi i qeverisë nga LSDM -ja e Zaev do të kishte qënë shumë më e lehtë, pasi kërkesat e BDI-së ishin të pranueshme për partitë politike maqedonase. Por tani që kreu i BDI-së Ali Ahmeti po kërkon pjesën më të madhe të tortës, skena politike maqedonase duket se është zhytur në kaos.

 Në seancën e sotme të Kuvendit nuk është parashikuar zgjedhja e kryeparlamentarit që do ta pasojë shqiptarin Talat Xhaferri, pasi arritja e marrëveshjes për shumicën e re parlamentare, prej të paktën 61 votash, të cilat janë të nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit dhe më pas edhe të qeverisë së re, duket ende larg.

Pavarësisht diskutimeve të deritanishme ndërpartiake zyrtarisht bisedimet për shumicën e re parlamentare pritet të fillojnë pas seancës.

Zaev do të vihet në lëvizje dhe do të takojë kreun e PDSH-së dhe deputetin e vetëm të kësaj partie Mendu Thaçi, po edhe me liderët e partive tjera parlamentare. Kreu i VMRO-DPMNE, Kristian Mickovsi, ka paralajmëruar takime me partitë e vogla maqedonase për të siguruar shumicën e nevojshme.

BDI ka mbajtur po ashtu takime me krerët e koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, të cilët kanë deklaruar se do të presin BDI-në të bisedoje me partitë e bllokut maqedonas për postin e kryemisnitrit shqiptar dhe nëse ajo nuk ia del të realizojë këtë premtim, atëherë ky koalicion do të bisedojë për t’u bërë pjesë e qeverisë.

Pas konstituimit të kuvendit Presidenti ka një afat prej 10 ditësh për t’i ndarë mandatin partisë më të votuar për formimin e Qeverisë. Mandatari ka afat 20 ditësh që ta formojë Qeverinë. Deri me tani, presidenti Pendarovski ka sqaruar se mandatin do të ia ndajë atij që do të dëshmojë se ka siguruar përkrahjen e 61 deputetëve.

Zaev deklaroi një ditë pas zgjedhjeve se partia e tij do të tentojë sigurimin e shumicës pa BDI-në, me qëllim që siç tha ai, të mos negocionte me kushte. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Mickoski do të udhëheqe paralelisht negociata për sigurimin e shumicës, ndërkohë që kreu i BDI-së, Ahmeti duket se tenton unifikimin e bllokut politik shqiptar për pozitën e kryeministrit.

Nëse një nga tre palët arrin të sigurojë shumicën parlamentare deri më 14 gusht, atëherë ajo do të marrë zyrtarisht mandatin për formimin e qeverisë, votimi i se cilës mund të bëhet në javën e fundit të muajit gusht.

Megjithatë, analisti Bashkim Selmani thotë se tani është momenti për unifikim të faktorit politik shqiptar në qeveri për realizimin e interesave shqiptare.

“Po të ishin të interesuara partitë politike shqiptare për të ndihmuar komunitetin shqiptar, tani janë në pozicionin më të fuqishëm. Prandaj është mirë që të ketë një koalicion midis partive politike shqiptare, pasi ende nuk është arritur që shqiptarët të përcaktojnë autoktoninë e tyre në kushtetutë dhe mund të flasim hapur për të drejtat historike dhe juridike të shqiptarëve në Maqedoni”, thotë ai.

Çdo stërzgjatje e bisedimeve midis LSDM-së dhe BDI-së sipas Selmanit, do të rëndonte ekonominë, si dhe menaxhimin me shëndetin publik.

“Komplet shëndeti publik është i orientuar në Shkup, ndërsa spitalet tjera nëpër qytetet nuk kanë as kushtet më elementare dhe kjo e rëndon edhe më shumë besimin ndaj institucioneve shëndetësore. Duhet të respektohet verdikti i popullit, pasi qytetarët e përcaktuan kush duhet të udheheqë. Nëse kjo anashkalohet me siguri se do të ketë stërzgjatje edhe të koalicioneve por edhe problemet ekonomike dhe probleme të tjera”, deklaron Selmani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë