Futboll

Në listën post-Inzagi spikat Konseisao, sfidë katërshe për stolin e Interit

Gazeta Si – Klubi zikaltër ka pasur kontakte me trajnerin aktual të Portos, ish-futbollisti i Interit, për të cilin pnegesa më e madhe është klauzola. Në garë mbeten gjithmonë Konte, De Zerbi dhe Mota.

Kur Konte vendosi të ndërpriste para kohe aventurën me Interin, drejtuesit e klubit u mblodhën dhe gjetën një zgjidhje të shpejtë. Në atë kohë pati edhe një tentativë për një njohje të vjetër: Serxhio Konseisao. Ai u fut në listën e kandidatëve për drejtimin e Interit në verën e 2021-shit, pasi konsiderohej një trajner ambicioz, me eksperiencë ndërkombëtare dhe i përgatitur.

Inzagi dhe Konseisao. Gazeta Si, 9 prill 2023

Tani portugezi rikthehet në vëmendje tek Interi. Te Porto Konseisao konsiderohet një institucion dhe ka edhe një vit kontratë, kjo është edhe pengesa më e madhe për Interin. Mes palëve ka pasur një kontakt, por çdo gjë mbetet për t’u parë. Pjesëmarrja ose jo në Champions vendos shumë, por më shumë ka të bëjë klauzola e prishjes së kontratës me Porton.

Bisedimet me Porton janë gjithmonë të vështira dhe nuk është e lehtë që trajneri të lirohet nga kontrata, edhe pse ai ka shumë dëshirë të kthehet në Itali për të drejtuar Interin.

Konseisao është rritur shumë dhe ka shumë pluse për të marrë në konsideratë. Është një trajner fleksibël, nuk është i lidhur vetëm me një sistem loje. Tek Interi e pëlqejnë shumë, ashtu si dhe Konten, ndërsa dy kandidatët e tjerë janë Roberto De Zerbi dhe Tiago Mota, një tjetër ish-lojtar zikaltër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë