Edhe pse data e fillimit të vitit të ri shkollor po afrohet, Kosova po mendon që mësimi në shkolla dhe universitete të vazhdojë online, për shkak të përhapjes së pakontrolluar të variantit Delta.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë, Arbërie Nagavci, ka thënë se pavarësisht se institucionet arsimore janë të përgatitura për nisjen e vitit të ri shkollor zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë i kanë rekomanduar që të respektohen masat aktuale edhe për një periudhë të caktuar, duke nisur mësimin në distancë.
“Natyrisht se ne do të respektojmë rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë dhe vendimi përfundimtar për këtë çështje, do të vendoset në mbledhjen e radhës të Qeverisë”, ka thënë Nagavci në një postim në rrjetin social Facebook.
Për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike, viti i ri shkollor nuk ka nisur më 1 shtator këtë vit në Kosovë, dhe ishte planifikuar që të niste me prezencë fizike më 13 shtator.
Ministrja Nagavci u ka bërë thirrje mësimdhënësve dhe pjesës tjetër të stafit nëpër shkolla që të vaksinohen kundër koronavirusit.
Në dy muajt e fundit në Kosovë, autoritetet shëndetësore janë përballur me rritje të konsiderueshme të numrit të personave të infektuar në baza ditore.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se të enjten janë regjistruar 19 viktima. Sipas Ministrisë, në 24 orët e fundit janë regjistruar edhe 703 persona të infektuar, pas testimit të 10.851 mostrave.
Këto shifra nënkuptojnë se gjashtë për qind e personave të testuar kanë rezultuar pozitivë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




