Në ditën e parë të shtrëngimit të masave ndaj Covid 19 në Kosovë, kanë nisur problemet e para. Të gjithë personat që do të futen në Kosovë, pavarësisht shtetësisë, do të duhet të tregojnë dëshminë e vaksinimit apo test PCR/antigen ose në të kundërtën duhet të izolohen për shtatë ditë.
Masat që duhet të zbatohen deri në 13 shtator, përfshijnë edhe shtetasit shqiptarë që duan të hyjnë në territorin kosovar.
Paraditen e të hënës, dhjetra prej tyre janë kthyer autoritetet doganore, duke krijuar kështu një fluks në pikën e kalimit kufitar në Morinë.
Në shenjë revolte nga masat e ndërmarra, qytetarët shqiptarë kanë protestuar për disa minuta, duke bllokuar kalimin e automjeteve drejt Shqipërisë.
Pas ndërhyrjes së policisë së Kukësit, situata është normalizuar dhe kalimi drejt territorit shqiptar nuk ka pasur pengesa.
Të bllokuar në kufirin ndërmjetës Shqipëri-Kosovë, qytetarët thonë se nuk janë të informuar për masat e reja, ndërsa presin me shpresën se mund të ndryshojë vendimi siç është bërë edhe herët e kaluara, ku shtetasit shqiptarë janë përjashtuar nga masat kufizuese të Kosovës.
Ndryshe nga Kosova, qytetarët që duan të udhëtojnë drejt Shqipërisë mund të futen lirisht, pasi vendi ynë nuk ka të vendosur asnjë masë kufizuese.
Në masat e reja të autoriteteve kosovare, përfshihet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve, nga ora 22:00 deri në ora 05:00.
Orari i sektorit të gastronomisë është reduktuar me një orë dhe ky sektor tashmë do të mund të punojë deri në 21:30 dhe do të lejohet të punojë vetëm në hapësira të jashtme.
Institucionet publike dhe private janë të fetyruara të punojnë vetëm me staf esencial deri më 13 shtator.
Pas kësaj date, punëtorët e sektorit publik duhet të dëshmojnë certifikatën e vaksinimit apo testet përkatëse që t’iu lejohet hyrja në vendet e punës.
Po ashtu, qeveria vendosi që viti i ri shkollor të nisë me 13 shtator, nga data 1 që ishte parashikuar nisja.
Këtë të hënë, Bashkimi Evropian pritet të vendosë kufizime në udhëtime për qytetarët e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, për shkak të përkeqësimit të situatës me koronavirus në këto vende.
Kjo do të thotë se hyrja në BE nuk do të lejohet, por vetëm në rastet kur udhëtimet janë të domosdoshme ose kur qytetarët kanë leje vendbanimi në ndonjërin vend të bllokut.
Në javët e shkuar, Kosova ka pasur një rritje të frikshme të numrit të vdekjeve dhe infektimeve nga Covid 19.
Në 24 orët e fundit, autoritetet shëndetësore raportuan për 36 viktima, shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë.
Kështu, duke filluar nga data 30 gusht 2021, deri më datë 13 shtator 2021, çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës, duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:
-Certifikatën e vaksinimit të plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19.
-Testi RT-PCR negativ për COVID-19, vlefshmëria jo më shumë se 72 orë nga bërja e testit.
-Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik-IgG, i lëshuar para 30 ditëve.
-Test i shpejtë antigjen negativ, vlefshmëria jo më shumë se 48 orë nga bërja e këtij testi.
Nga kërkesa për të poseduar ndonjërën nga dëshmitë, përjashtohen;
Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda 3 orëve, përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajn deklaratën se do të largohen nga Kosova brenda 3 orëve;
Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtar për mbrojtje nga COVID-19;
Shtetasit e Republikës së Kososës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit;
Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë në Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, tranzit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do të largohen nga territori i Kosovës, brenda pesë orësh; Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë; personat nën moshën 18 vjeç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




