Kosova

Në Kosovë festohet Vidovdani, policia ndalon serbët me bluza provokuese

Policia e Kosovës nuk ka lejuar disa serbë që t’i afrohen vendit në Gazimestan, aty ku po festohet Dita e Vidovdanit, pasi kishin veshur bluza provokuese.

Të gjithë pjesëmarrësit në këtë festë janë kontrolluar nga policia.

Viteve të kaluara, te pjesëmarrësit serbë janë gjetur edhe armë të ftohta, ndërkohë që ka pasur edhe arrestime për shkak të provokimeve.

Kremtimi i kësaj dite lidhet me përvjetorin e Betejës së Kosovës, të 28 qershor 1389, që historia serbe e njeh si fitoren shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike.

Në Gazimestan të Obiliçit ndodhet Monumenti i Betejës, ku serbët mblidhen për rite fetare çdo vjet më 28 qershor.

Vidovdani, në periudhën e dominimit të presidentit serb Sllobodan Millosheviç u keqpërdor për nxitjen e nacionalizmit serb në ish-Jugosllavi, që nxiti luftërat në Ballkan.

Kosova dy dekada më vonë, pas intervenimit të NATO-s, që nxori jashtë administrimin serb, shpalli pavarësinë e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë