Njëjtë si kohëzgjatja e pandemisë, edhe njerëzit vijojnë të përjetojnë ankth dhe stres për këtë fakt. Sidoqoftë ekzistojnë disa truqe që mund të na ndihmojnë për të anashkaluar gjendjen e ankthit.
Për mbi 12 muaj, pandemia ka marrë nën kontroll jetën e gjithsecilit, duke imponuar një jetë të re të përditshme të përbërë nga kufizime. Jeta e dikurshme duket pothuajse një kujtim dhe ankthi rritet me nostalgjinë e asaj ndjenje lirie, e cila, natyrisht, nuk mund të gjendet brenda mureve të shtëpisë.
Gjestet e thjeshta, të tilla si pirja e një kafeje ulur në një bar ose vizita tek të afërmit dhe miqtë, kanë qenë dhe janë shpesh të rëndësishme për të kaluar situata të mërzitshme. Kjo mënyrë e re e jetës ka bërë që shumë njerëz të përjetojnë ankth, panik dhe deri në depresion.
Nëse jeta e përditshme ka ndryshuar, atëherë është e nevojshme të bëni muret shtëpiake ambiente të rehatshme në të cilat të shpërqendroheni sa më shumë që të jetë e mundur. Ka disa hapa të thjeshtë për tu ndjekur për të ndihmuar psikikën tonë. Stefano Callipo, president i Observatorit të Dhunës dhe Vetëvrasjes, psikolog dhe psikoterapist klinik dhe ligjor shpjegon se në këto raste është i nevojshëm një aktivitet fizik i rregullt që mund të bëhet edhe në kushte shtëpie. “Përkushtojuni cilësisë së gjumit, duke mos harruar që në dhomën e gjumit vetëm të flini, gjithçka tjetër duhet të bëhet në dhoma të tjera, prandaj le të shmangim navigimin me orë të tëra në rrjetet sociale ndërsa qëndroni në shtrat. Më mirë një libër,” shton eksperti.
Sa herë keni qenë të mërzitur dhe ju ka ndihmuar kujdesi për veten për të rregulluar mendimet? Nuk është e habitshme. Në fakt është vërtetuar shkencërisht se kujdesi për veten ju ndihmon të ndiheni më mirë mendërisht. Eksperti shpjegon se kujdesi për trupin, imazhin, krehja e flokëve mirë, veshja në vend që të qëndroni me pizhame gjithë ditën, janë sjellje që mund të na ndihmojnë ta bëjmë shpirtin tonë më të lumtur.
“A përfundon e gjitha këtu? Absolutisht jo: përkushtimi ndaj aktiviteteve krijuese të tilla si vizatimi, shkrimi i poezive, bërja e një konstruksioni të vogël, qepja ose prova e recetave të reja të gatimit, largon mendjen nga ankthi dhe mendimet e këqija, duke e projektuar atë vetëm drejt rezultatit që kemi vendosur të arrijmë,” shton psikiatri.
Largimi i mendjes nga e tashmja dhe projeksioni i saj tek e ardhmja, të menduarit për gjërat e para për të bërë pas përfundimit të kësaj periudhe është absolutisht e mirë për trurin.
“Le të përpiqemi ta shohim fazën e pandemisë si një stuhi të keqe duhet të presim që ajo të kalojë. Në ndërkohë, planifikimi i së ardhmes na bën të përjetojmë qetësinë që na pret paraprakisht, diellin pas stuhisë,”shton më tej eksperti.
Sipas tij projektimi i së ardhmes, ndikon gjithmonë në humorin tonë. Ai shton se nga kjo përvojë të gjithë do të dalim të ndryshuar, madje edhe me aftësi të reja.
Ndër mënyrat më efikase që eksperti përmend është kapërcimi i pseimizmit duke bindur veten se e ardhmja do të jetë më e mirë dhe më e ndritëshme.
Burimi:Il Giornale/Përktheu:Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.