Ekonomi

“Honi” i 80 vjeçarëve shqiptarë

Sabina Veizaj – Agimi numëron 76 vite mbi supe, por me përjashtim të disa problemeve fare të vogla me shëndetin, ai ndjehet në formë dhe është aktiv në punë. Me profesion inxhinier, ai punon pas daljes në pension në një kompani private me orar të plotë ku drejton edhe një staf prej 20 vetësh.

Ai jeton me të shoqen pasi djemtë i ka të martuar jashtë kufijve, por nuk e shpie kurrë nëpër mend që në një të ardhme relativisht të afërt, në kushte pamundësie fizike, t’i drejtohet ndonjë shtëpie të moshuarish.

Ky është mentaliteti mbizotërues në Shqipëri për shkak edhe të kulturës së trashëguar ku në 50 vite izolim ruajtëm marrëdhënie të ngushta familjare.

Por aktualisht në Shqipëri sipas Rrjetit Kombëtar të Pensionistëve (ku bëjnë pjesë 15 shoqata pensionistësh të shtrira në të gjithë vendin) numërohen 92 mijë të moshuar mbi 80 vjeç që janë në kushte të izolimit të plotë.

Kjo kategori të moshuarish është plotësisht e izoluar për shkak të pamundësisë fizike dhe nuk ka pranë asnjë të afërm që të kujdesen për ta.

Sipas Faik Xhanit, kreut të Rrjetit të Pensionistëve, vetëm për të moshuarit e Tiranës, është proceduar me vullnetarë.

“Deri tani janë 70 vullnetarë që asistojnë të moshuarit në izolim të plotë. Por nuk kemi vullnetarë nëpër Shqipëri. Ata të moshuar janë në kushte të mjerueshme; të izoluar, pa njeri. Disa prej tyre kanë mundësi financiare, por nuk kanë se kush t’u shërbejë”, shprehet Faiku për Gazetën Si.

Sipas tij, në një takim në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është premtuar për një marrëveshje të mundshme për krijimin e Portofolit të Asistencës Shtëpiake.

“Asistenca shtëpiake ekziston si koncept në shumë vende të botës, edhe në ato vende me ekonomi më të varfër se e jona. Asistencë shtëpiake kanë disa shtete në Amerikën e Veriut, Afrika, Brazili, India, etj. Nuk e dimë se si do të procedohet këtu, por ne na premtuan”, thotë Faiku.

Në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kjo situatë nuk është aspak e qartë.

Thonë se po punojnë, por nuk kanë një shifër të saktë të përfituesëve të asistencës shtëpiake, as një faturë të përcaktuar financiare, a kanë burime njerëzore të mjaftueshme për të asistuar të moshuarit në izolim total dhe se si do procedojnë.

Një specialiste në Minsitrinë e Mbrojtjes Sociale u shpreh se ka nisur puna për këtë çështje dhe po hartohen manualet që t’i dërgohen pushtetit vendor që do të jetë kompetent për të realizuar aplikimin e asistencës shtëpiake. Por vetëm kaq; as afate dhe asnjë statistikë për të kuptuar situatën.

Sipas raportit studimor Rrjeti i Moshimit-Mosha që ka vlerësuar kushtet ekonomiko-sociale-shëndetësore të të moshuarëve në vend, (studimi i parë për këtë grupmoshë në Shqipëri), situata nuk është rozë, shtoji kësaj edhe kampionin e vogël të marrë për studim dhe foksuin në një hapësirë të vogël gjeografike.

Ata  marrin një pension sa 28% e pagës së tyre kur ishin në marrëdhënie pune, masa më e ulët në rajon dhe 48% e të moshuarëve mbi 81 vjeç mendojnë se janë të varfër.

Gjithashtu, sipas raportit, ku kampioni në studim përbëhej prej 974 të moshuarish në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë, 36 % e të intervistuarëve e gjykonin gjendjen e tyre shëndetësore si të keqe dhe 47,5% e tyre kanë të paktën një sëmundje kronike dhe shpenzojnë për medikamente dhe 24, 7% nuk kanë mundësi financiare ti blejnë ilaçet e rekomanduara nga mjekët. Të moshuarit e intervistuar treguan se 9,4 % kanë të paktën një hua për të larë.

Mes izolimit fizik e financiar, Rrjeti i të Moshuarëve ka menduar një incentivë në lidhje me transportin ndërqytetas ku në bashkëpunim me bashkitë, të moshuarëve me pension social t’u falet bileta e autobusit.

Kjo është ende në kuadrin e një mendimi të mirë, por ende nuk ka diçka konkrete. Për Z. Faik Xhanin, kjo do të ishte një ndihmë shumë e mdhe për këtë kategori pensionistësh dhe do ti nxirrte nga izolimi shoqëror.

 Një fokus në kategorinë e të  moshuarve dhe izolimin social është i domosdoshëm sepse njerëzit mund të bëhen më shumë të izoluar me kalimin e moshës, sugjeron studimi. Humbja e kontakteve sociale për shkak të daljes në pension, humbja e të dashurve dhe miqve, rënia e shëndetit ndikojnë në jetën dhe psikologjinë e të moshuarëve.

Studimet tregojnë se marrëdhëniet shoqërore kanë efekte afatshkurtra dhe afatgjata për shëndetin, për mirë dhe për keq.

Sipas ekspertëve, nevoja për më shumë kërkime rreth moshës së tretë del urgjente dhe është një fushë që kërkon një qasje të koordinuar dhe sistematike që përfshin politikëbërësit, hulumtuesit dhe financuesit. Mendohet se deri në vitin 2050, numri i njerëzve mbi 65 vjeç do të jetë më shumë se dyfishi. Qytetet, komunitetet, kompanitë – dhe gjithë kultura jonë – duhet të bëjnë disa përshtatje, por në situatën shqiptare ku gërshetohen një miks problematikash të thekshme, ngjan disi e vështirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë