Nga Gazeta Si- Një person i shumëkërkuar me tre akuza nga autoritetet shqiptare, ka rënë në prangat e policisë greke mbrëmjen e djeshme.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Menidi” të Athinës, kur skuadra “DIAS” e policisë greke, gjatë patrullimit me këmbë, ka pikasur dy persona të dyshuar pranë një parku në kryqëzimin e rrugëve “Mposda” dhe “Varela”.
Thirrjes për të ndaluar dy të dyshuarit nuk i janë bindur, por kanë hedhur disa qese në tokë dhe janë larguar me vrap.
Gjatë ndjekjes është arritur të kapet vetëm njëri prej tyre dhe të shoqërohet në Komisariat. Gjatë kontrollit të qeseve, brenda tyre janë gjetur dhe sekuestruar 2 granata të llojit F1, 2 mekanizma ndezës, 1 kuti me 49 fishekë të kalibrit 9 mm. Gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar 1 fishek i kalibrit 0.38 mm dhe 8 fishekë të kalibrit 7.62X25 mm, të cilat i dyshuari i hodhi gjatë ndjekjes deri në vendin ku u arrestua.
Nga verifikimi i të dyshuarit, rezultoi se identiteti i tij është E. M., 37 vjeç nga Berati. Ndaj tij rezulton urdhër arresti nga autoritetet shqiptare për vrasje, grabitje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Policia greke vijon hetimet për identifikimin e të dyshuarit të dytë si dhe arsyeve pse mbanin municionin luftarak me vete.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.