Drejtësia

E arrestuar për spiunazh në Shqipëri, Svetlana Timofeeva refuzon ekstradimin në Rusi

Gazeta Si - Rusja e dyshuar si spiune në Shqipëri, Svetlana Timofeeva, ka refuzuar ekstradimin në Rusi pas  incidentit dhe arrestimit në Shqipëri.

Ministria e Drejtësisë i ka dërguar kërkesën zyrtare të autoriteteve gjyqësore të Federatës Ruse Prokurorisë së Elbasanit për ekstradimin e saj, por blogerja 33-vjeçare nuk ka pranuar kthimin në vendin e saj.

Blogerja ruse, e paraburgosur me masën e sigurisë “arrest në burg”, akuzohet për spiunazh së bashku me një tjetër rus dhe një ukrainas.

LEXO EDHE:
- Dyshohet si spiune, Rusia i kërkon Shqipërisë ekstradimin e Svetlana Timofeevas
- ‘Lojë spiunësh’, a mundet që Rusia të ekstradojë Svetlana Timofeevan?

Sipas autoriteteve ruse të drejtësisë, rezulton se Svetlana Timofeeva, është person i shpallur në kërkim në Rusi për veprën penale të “Marrje e paligjshme e informacionit që përbën sekret shtetëror”.

"Nga aktet e përcjella nga autoritete ruse të drejtësisë, rezulton se shtetësja ruse Svetlana Timofeeva, është person i shpallur në kërkim në Rusi për veprën penale të “Marrje e paligjshme e informacionit që përbën sekret shtetëror”, parashikuar nga pika “a”, paragrafi 2 të nenit 283 të Kodit Penal Rus, - thuhet në njoftim. - Kërkesa e autoriteteve ruse për ekstradim bazohet në vendimin datë 25.08.2022 të Gjykatës së Qarkut Meshchansky, Moskë, me të cilin është caktuar masa e sigurimit “Arrest ne burg”, për veprën penale të sipërcituar”.

Por pasi është marrë kontakt e Timofeevan nga prokurori, e reja ka refuzuar të japë pëlqimin për ekstradimin e saj në Rusi.

Svetlana Timofeeva, bashkë me dy të tjerë, Mikhail Zorin dhe ukrainasin, Fedir Alpatov sulmuan me spraj djegës në fytyrë ushtarët shqiptarë në ish-uzinën ushtarake të Gramshit.

Me dyshimin se tre miqtë, gjendeshin në Shqipëri me detyrën për të kryer spiunazh, grupi i hetimit ka prova të forta se ata kanë fotografuar dhe baza të tjera ushtarake në gusht.

Të tre të arrestuarit e kësaj ngjarje vijojnë të jenë në burg me masën, e dhënë nga Gjykata e Elbasanit “arrest me burg” lënë në fuqi edhe nga Apeli Durrësit me 20 shtator.

Të tre u vunë në pranga dhe akuzohen për “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim.

Svetlana Timofoeeva, mbahet në burgun e grave të Tiranë, por për një periudhë tre mujore ajo ka qëndruar në spitalin e burgut.

Zbardhet ekspertiza e ushtarëve: Dëmtime në nivelin e plagosjes

Përveç spiunazhit, rusi Mikhail Zorin, rrezikon të akuzohet edhe për plagosje të lehtë me dashje ndaj ushtarëve shqiptarë të uzinës së Gramshit.

Instituti i mjeksisë ligjore ka konstatuar se dy ushtarët kanë pësuar dëmtime në nivelin e plagosjes.

Instituti i mjeksisë ligjore ka përfunduar akt-ekspertimin për dy ushtarët të cilët mbetën të lënduar nga sulmi i dy rusëve dhe një ukrahinasi në uzinën e gramshit.

Për ushtarin Ardian Xhaka, IML thotë se, janë konstatuar djegie e shtresës sipërfaqësore të lëkurës, dhimbje koke, shikim të turbullt dhe skuqje e tharje fyti.

Këto dëmtime sipas mjekëve janë shkaktuar nga ekspozimi me gaz i thënë ndryshe me Sprajt. Dëmtimet e shkaktuara hyjnë në kategorinë e atyre që kanë sjellë për pasojë humbjen e aftësisë së përkohshme në punë në masën 9 ditë.

Por edhe kolegu i tij Aldo Bici që ra pre e sulmit nga tre shtetasit e huaj, sipas IML ka pësuar dëmtime në kategorinë e atyre që kanë sjellë humbjen e aftësisë së përkohshme në punë në masën mbi 9 ditë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë