Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për “La Gazzetta dello Sport” në prag të ndeshjes debutuese të Shqipërisë ndaj Italisë në Euro 2024.
Kreu i qeverisë shqiptare të futbollit foli për gjendjen e skuadrës, marrëdhëniet e mira me Presidentin e Federatës Italiane të futbollit, Gabriele Gravina, trajnerët italianë që kanë drejtuar Shqipërinë dhe disa tema të tjera.
Presidenti Duka theksoi se Kombëtarja shqiptare është një dhe se forca e skuadrës është grupi.
Si ndiheni, pjesëmarrja e dytë në një Europian?
Sa më shumë afrohet ndeshja, aq më shumë emocione kemi të gjithë. Padyshim është një ndeshje shumë e rëndësishme, është sfida e parë. Situata e skuadrës është shumë e mirë, gjendja emocionale dhe shëndetësore është e mirë. Të shohim, pa përjashtuar edhe emocionet e rastit.
Çfarë i kanë sjell trajnerët italianë Kombëtares shqiptare?
Të gjithë kanë pasur kontribute pozitive dhe kanë sjell zhvillim në futbollin shqiptar. De Biazin nuk mund ta harrojmë sepse ne për herë të parë në një kompeticion të rëndësishëm Europian shkuam me De Biazin. Reja gjithashtu ka bërë një punë të mirë, ka bërë rezultate të mira, ka bërë zhvillim dhe një lloj rinovimi të skuadrës. Ne jemi këtu si rezultat i punës së vazhdueshme të të gjithëve, stafeve, Federatës dhe futbollistëve.
Shumë futbollistë me origjinë shqiptare luajnë në kampionatin italian?
Ne kemi numër të madh futbollistësh që luajnë në Itali. Në Federatën Italian në mos gabohem janë regjistruar rreth 16 mijë. Si rrjedhojë që ka shumë shqiptarë të regjistruar në të gjitha nivelet e futbollit italian, janë edhe këto që luajnë në Seria A. Kjo më bën krenar, sepse janë një vlerë e shtuar e një kualitet për ekipin Kombëtar dhe falë tyre ne jemi sot pjesë e Europianit. Gjëja që më bën më shumë krenar është që jemi pjesë e Europianit falë kontributit të tyre, stafit, Federatës dhe të gjithëve.
Cili mendoni se do të jetë futbollisti i ardhshëm shqiptar që do të zbarkojë në Itali?
Ka shumë kandidatë që mund të vijnë, qoftë nga kampionati shqitpar, qoftë edhe nga ekipet e moshave që janë në Itali, nga ekipet Kombëtare të Shqipërisë. Nuk është se mund të veçojë ndonjë talent për momentin, por nga këto që luajnë në Kombëtare besoj që ka një të ardhme Medon Berisha që është te Lecce dhe dy vëllezërit Shpendi.
Silvinjo rezultoi zgjedhja e duhur, cila mendoni se është sekreti i punës?
Sekreti i suksesit të Silvinjos e para është puna sistematike, përkushtimi në punë. Gjithashtu edhe aftësia për të krijuar një grup të harmonizuar dhe realisht slogani “Ne jemi një” është i Silvinjos në Kombëtare dhe ka arritur që ta implementojë, ta injektojë te futbollistët që ne jemi nji. Forca e skuadrës tonë kjo është që ne jemi një.
Çfarë mendoni për Luciano Spallettin dhe punën e tij te Italia?
Spalletti nuk ka diskutim që është një ekspert futbolli. Ka bërë mirë në të gjithë të shkuarën e tij. Ka bërë mirë së fundmi ose para Kombëtares te Napoli dhe gjithashtu ka bërë mirë në Kombëtaren italiane. Duke dora e tij në organizimin e lojës, në harmonizimin e të gjithë komponentëve të ekipit. Është një ekspert dhe një vlerë shumë e shtuar për Kombëtaren italiane.
Spanja, Kroacia, Italia dhe Shqipëria a mendoni që ky është grupi më i fortë i Europianit dhe a keni shpresa që Shqipëria do të kalojë më tej duke shkruar historinë?
Tre nga skuadrat e grupit janë më të mirat e Europës që mund të pretendojnë për ta fituar Europianin dhe nuk është çudi që një nga këto ta fitojë. I kanë të gjitha mundësitë për ta fituar dhe skuadra që do t’i sfidojë jemi ne. Kështu që padyshim që kam një lloj shprese që ne mund ta kalojmë grupin dhe po të kalojmë grupin mund të bëjmë akoma më shumë. / Marrë me shkurtime, Supersport
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.