Gazeta Si – Tifozët holandezë të Fejnordit nuk mund ta ndjekin skuadrën e zemrës në ndeshjen çerekfinale të kthimit ndaj Romës. Vendimi është marrë nga autoritetet italiane për shkak të frikës nga incidentet, duke parë edhe precedentët.
Holandezët nuk do të lejohen në Romë më 20 prill, kur luhet ndeshja e kthimit me ekipin italian, e vlefshme për çerekfinalet e Ligës së Europës. Vendimi vjen direkt Ministria e Brendshme, pas sinjaleve shqetësuese të ditëve të fundit, mes të cilëve edhe binjakëzimi mes ultrasve të Fejnordit dhe atyre të Napolit.

Për momentin nuk ka asnjë vendim, që ndalon tifozët e Romës të shkojnë në Roterdam më 13 prill për ndeshjen e parë. Autoritetet holandeze kanë reduktuar numrin e biletave për tifozët miq, nga 2500 në 1500, por pas vendimit të fundit për ndalimin e fansave bardhekuq, mund të ketë një tjetër reduktim për italianët.
Vendimi ka të bëjë edhe me precedentin e shkurtit të 2015-ës, kur tifozët e Fejnordit shkatërruan pjesë të ndryshme të kryeqytetit italian. Edhe në atë kohë Fejnordi luante me Romën, për 1/16-at e Ligës së Europës.
Në Itali duket se po bëhet rrugë ndalimi për tifozët e huaj. Vetëm pak kohë më parë nuk u lejuan tifozët gjermanë të Eintraht Frankfurtit për të ndjekur nga afër ndeshjen e Championsit në Napoli, pasi nuk kishte siguri. Vendim që nuk u prit mirë nga UEFA, që me përsëritjen e rastit mund të mbajë qëndrim zyrtar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




