Bota

Në hetim për ryshfet, Departamenti i Drejtësisë kërkon pushimin e akuzave ndaj kryebashkiakut të Nju Jorkut

Gazeta Si – Një zyrtar i lartë në Departamentin amerikan të Drejtësisë ka urdhëruar prokurorët federalë të tërheqin akuzat kundër kryebashkiakut të Nju Jorkut Eric Adams, i akuzuar për marrje ryshfeti, një demokrat që ka kultivuar një marrëdhënie të ngrohtë me presidentin Donald Trump.

Në një memorandum prej dy faqesh të siguruar nga agjencia e lajmeve “Associated Press”, Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm në detyrë Emil Bove tha se vendimi për të hedhur poshtë akuzat u mor pa një vlerësim të provave të prokurorisë dhe nuk kishte për qëllim të vinte në dyshim avokatët që ngritën çështjen.

Por, zoti Bove tha, se koha e akuzave dhe “veprimet më të fundit” nga ish-avokati amerikan që drejtoi zyrën në Nju Jork, Damian Williams, “kanë kërcënuar integritetin e procedurave, duke përfshirë rritjen e publicitetit paragjykues që rrezikon të ndikojë në dëshmitarët e mundshëm dhe anëtarët e jurisë”.

Zoti Bove shkroi gjithashtu se ndjekja penale në pritje ka “kufizuar padrejtësisht” aftësinë e zotit Adams për t’i “kushtuar vëmendjen dhe kapacitetet e plota luftës kundër imigrimit të paligjshëm dhe krimit të dhunshëm që është përshkallëzuar për shkak të politikave të administratës së mëparshme”.

Urdhri i Departamentit të Drejtësisë udhëzon që çështja të pushohet pa paragjykime, gjë që mund të thotë se ajo mund të rikthehet më vonë.

Memorandumi është një largim rrënjësor nga normat e vjetra të Departamentit të Drejtësisë, si në aspektin e direktivës për të pushuar një çështje tashmë të ngritur që prokurorët e kishin konsideruar tashmë të merituar dhe për shkak të arsyetimit të tij të deklaruar se një i pandehur i fuqishëm mund të jetë shumë i zënë me detyrat zyrtare për të përballuar përgjegjësinë për krimet e supozuara.

Një zëdhënës i prokurorëve të Distriktit Jugor të Nju Jorkut, i cili kishte marrë urdhrin për të tërhequr akuzat, Nicholas Biase, nuk pranoi të komentonte.

Njoftimi pason spekulimet disa mujore se Departamenti i Drejtësisë i administratës së Presidentit Trump do të ndërmerrte hapa për të pushuar çështjen penale kundër zotit Adams, i cili u akuzua për marrje ryshfeti dhe përdorim të paligjshme të kontributeve financiare për fushatën e tij për krybashkiak të Nju Jorkut./VOA/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë