Treg

Në gjysmën e parë të vitit individët investuan më pak në bono dhe obligacione

Investimet e individëve në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare janë ulur me 15% në gjysmën e parë të këtij viti sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF).

Investimet në tregun primar nëpërmjet shoqërive komisionere të licencuara shënuan rënie si në instrumentet afatshkurtër, ashtu edhe në ato afatgjata.

Rënie shënuan investimet në bono thesari të cilat u ulën në vlerën e 4.5 miliardë lekëve, nga rreth 4.8 miliardë lekë që kishin qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa një rënie më të ndjeshme shënuan investimet në obligacione, në 3.3 miliardë lekë, nga 4.2 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të 2020-s.

Pavarësisht ngadalësimit të investimeve në gjysmën e parë të këtij viti, individët zënë një peshë të konsiderueshme në strukturën e mbajtësve të borxhit të brendshëm publik.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në mesin e këtij viti, individët mbanin gjithsej rreth 17.1% të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare, përfshirë këtu investimet direkte dhe ato nëpërmjet bankave tregtare të licencuara për ofrimin e këtij shërbimi.

Në mesin e këtij viti, yield-i mesatar i të gjithë titujve të borxhit preku një minimum të ri historik, në nivelin 3.58%, nga 3.75% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjatë kësaj periudhe, edhe kursimet e individëve kanë vazhduar të rriten, ku sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në mesin e këtij viti totali i depozitave të përfshira në përkufizimin e parasë së gjerë arritën në 1.15 trilionë lekë. Në një vit, depozitat janë zgjeruar me 90 miliardë lekë ose 8.5%.

Asetet neto të fondeve të investimit kanë shënuar rritje gjithashtu  ku investitorët kryesorë janë individët.

 Sipas statistikave të AMF-së, në fund të qershorit 2021 asetet neto të këtyre fondeve arritën në afërsisht 72 miliardë lekë. Që nga fillimi i vitit, vlera e tyre është rritur me 6.6%, ndërsa krahasuar me një viti më parë norma e rritjes është 9.7%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë