Nga Gazeta Si- Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq ish presidentin e urdhrit të Stomatologut Nikoll Deda për “Shpërdorin detyre”.
Hetimet e zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr.1630 të vitit 2024, provuan se Deda, në cilësinë e Presidenti të Urdhrit të Stomatologëve lejoi punësimin pa kriter të familjarëve të tij, me qëllim manipulimin e vendimmarrjeve të Këshillit Kombëtar nga viti 2016.
Nga hetimi, rezultoi se me veprimet/mosveprimet e tij Deda krijoi një “klimë posedimi privat” duke përqendruar në duart e tij funksionet e këshillave rajonale, qoftë për sa i përket administrimit të buxhetit të urdhrit të stomatologut në nivel qarku, qoftë përsa i përket pajisjes me licencë të stomatologeve për ushtrim individual profesioni.
Në shkelje flagrante të vendimeve gjyqësore dhe parashikimeve ligjore, nëpërmjet strukturave të Urdhrit të Stomatologut, ai vijoi veprimtarinë edhe pse u pezullua nga detyra, duke marrë vendime të rëndësishme si blerjen e një godine në vlerë 700.000 euro me sipërfaqe 350m2 dhe marrjen e një kredie prej 250.000 euro me qëllim ‘blerje ambientesh’.
Pavarësisht se është marrë i pandehur dhe është aktualisht në proces gjyqësor i akuzuar për nenin 320 të Kodit Penal në një tjetër procedim, ka ndërmarrë veprime aktive në shpërdorim të detyrës për përqendrim të mëtejshëm të kompetencave në duart e tij duke shfrytëzuar strukturat e USSH-së.
Sa më sipër, prokuroria vendosi që çështjen ta dërgojë në gjyq pasi akuza dhe fakti janë tërësisht të provuara për krimin e parashikuar nga neni 197 i Kodit Penal.
Prej më shumë se një viti, Deda është pezulluar nga puna me urdhër të Gjykatës të Tiranës. Për Nikoll Dedën ishte depozituar një kallëzim penal dhe pas një pune hetimore disamujore, 68-vjeçari është pezulluar nga detyra. Por ai ka vijuar punën edhe pse është pezulluar dhe debatet me pjesëtarët e tjerë të Urdhrit kanë vijuar në kohë, deri para disa ditësh kur u raportua për një zaptim të zyrave.
Në faqen zyrtare të Urdhrit në Facebook u publikuan në tetor njoftime që tregonin se zyrat ishin zaptuar nga Almiro Gurakuqi, drejtori aktual i Urdhrit të stomatologut.
“Zyrat e Urdhrit të Stomatologëve të Shqipërisë vijojnë të mbahen të kyçura në mënyrë antiligjore nga shtetasi Almiro Gurakuqi, i cili me veprimet e tij ka bllokuar të gjitha shërbimet ndaj stomatologëve që ofrohen nga Administrata Qendrore e Urdhrit të Stomatologëve. Kallëzimi për shkeljet e rënda ligjore dhe bllokimin e shërbimit nga shtetasi në fjalë, është referuar në Prokurori nga Komisariati Nr. 4 i Policisë Tiranë”, thuhet në njoftimet e postuara.
Por, kjo është hedhur poshtë nga drejtuesit aktualë, duke thënë se familjarët e ish drejtorit Deda kanë tentuar të futen në zyrat e Urdhrit, duke ‘sajuar’ edhe dëmtimin e një prej personave të pranishëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.