Gazeta Si – Suksesi i Kombëtares shqiptare është plotësisht i merituar. Nuk ka diskutim. Skuadra e drejtuar nga trajneri Silvinjo ka funksionuar më së miri, por në gjithë këtë fushatë eliminatore ka diçka që dallon në arritjen e kuqezinjve. Ata kanë shkuar në Gjermani …nga jashtë zonës.
Shqipëra i ka thyer kundërshtarët kryesisht pa pasur nevojën të hyjë në zonën e tyre. Janë 5 golat, ose më mirë eurogolat apo ‘silurat’ – terma futbollistikë që përdoren në këto raste – që na kanë hapur rrugën e kualifikimit për në Europian. Janë gola që mbajnë firmën e Jasir Asanit të parit, 3 të tillë, Kristjan Asllanit dhe Nedim Bajramit.
Tre perlat e Asanit
Me një eurogol Jasir Asani zhbllokoi shifrat në fitoren e parë ndaj Moldavisë, kur kuqezinjtë po vuanin që të tundnin rrjetën kundërshtare. Pastaj ai supergol ndaj Sheznit në fitoren 2-0 ndaj Polonisë, sërish në ‘Air Albania’. Një gol më i vështirë ky, nga një distancë më e largët, në pozicion më diagonal dhe ndaj një portieri të madh si polaku i Juventusit.
Albania's Jasir Asani against Poland this week. 🇦🇱🚀
— Football Tweet ⚽ (@Football__Tweet) September 13, 2023
pic.twitter.com/Vq6SgpdH5K
I treti eurogol i mëngjarashit kuqezi ishte sërish në Tiranë, ndaj Çekisë, që e ‘injoroi’ sulmuesin tonë dhe i la hapësirën për të shënuar golin e tretë me fanellën kuqezi. Një gol që i hapi rrugën fitores më të thellë të Shqipërisë në këto eliminatore.
Asllani në Torshvan
Pas Asanit, radhën e kishte Kristjan Asllani për të shënuar një eurogol. Ai e bëri këtë në transfërën me Ishujt Faroe, ku Shqipëria fitoi 1-3. Goditje e kalibruar nga jashtë 16-shes e mesfushorit të Interit dhe topi në trekëndësh.
Bajrami në Pragë
Në këtë listë speciale bën pjesë edhe Nedim Bajrami, autor i 3 golave deri tani. Më i veçanti për të dhe skuadrën ishte ai ndaj Çekisë, në barazimin 1-1 në Pragë. Një gol i bukur i shënuar nga distanca me të djathtën dhe me shumë vlera, pasi na dha një pikë të vyer.
Nominimi nga UEFA
Që të gjithë këta gola janë vlerësuar edhe nga UEFA për teknikën e realizimit. Që të gjithë janë nominuar për ‘Golin më të bukur’ dhe janë shpallur fitues Asani dhe Asllani. Kjo arritje e madhe e kuqezinjve do të kujtohet edhe për këtë fakt, për këta gola spektakolarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.