Gazeta Si – Njoftimin e bëri vetë Andrea Zurita në një konferencë për shtyp, teksa i është përgjigjur pyetjeve e veshur me një jelek antiplumb: “Projekti Villavicencio nuk ka ndryshuar, ne do të vazhdojmë të luftojmë në emër të tij: nuk do të negociojmë me krimin”. Zurita shoqëroi për një kohë të gjatë kolegun dhe mikun e tij në fushatën elektorale.
Por ndryshe nga ai, kandidati i ri nuk ka përvojë të mëparshme politike dhe tani ka më pak se një javë në përpjekje për të fituar mbështetjen e qytetarëve ekuadorianë.
Ndërkohë, Andrea González, një aktiviste për mbrojtjen e mjedisit, 36-vjeçare, u regjistrua si kandidate për zëvendëspresidente. Lëvizja politike ekuadoriane, Construye, e kishte zgjedhur pak orë para se Zurita të dilte para mediave.



Por González nuk ishte shumë e vlerësuar nga e veja tashmë e Villavicencios, Veronica Sarauz, e cila e përshkroi vendimin për të zëvendësuar burrin e saj me të, si “arbitrar”.
Por ajo hodhi edhe akuza ndaj autoriteteve shtetërore se nuk e kanë mbrojtur siç duhet jetën e bashkëshortit: “Kërkoj të më jepen përgjigje. Nuk do të doja të mendoja se agjentët e sigurimit kanë shitur jetën e babait të pesë fëmijëve të mi”.
Asnjë provë për të mbështetur këtë tezë nuk ka dalë deri më tani. Megjithatë, ajo që është e sigurt, është se dhuna në Ekuador u kthye tashmë një instrument të luftës politike, mbi të cilin grupet e armatosura mbështeten gjithnjë e më shpesh.
Brenda katër ditësh, një president aspirant u vra, një kandidate për deputete u shpëtua nga një sulm dhe vajza e ish-kryebashkiakut të kryeqytetit Kuito u rrëmbye dhe më pas u lirua.
Janë pamje të një vendi, ku bandat pasurohen me trafik kokaine dhe gërryejnë pushtetin shtetëror ditë pas dite.
Premtimet për sigurinë dhe rendin nga presidenti Guillermo Lasso – i cili nuk ka rikandiduar këtë herë – kanë pak vlerë, pasi ai ende garantoi të shtunën se “paqja dhe besimi do të kthehen së shpejti”.
Ai vetë, pas vrasjes së Villavicencios, u detyrua të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, e cila do të qëndrojë në fuqi deri në fillim të tetorit.
Ndër masat e para, është vendimi për transferimin në një burg të sigurisë maksimale të një bosi droge, Adolfo Macìas, i njohur si “Fito”, i dënuar me 34 vjet për vrasje dhe trafik droge.
Macìas është lideri i Los Choneros, një bandë e lidhur me kartelin meksikan Sinaloa, që e kishte kërcënuar vazhdimisht Villavicencion me vdekje.
Për ta zhvendosur disa metra – qelia ku ai po mbahet tani ndodhet në të njëjtin kompleks burgu, në qytetin port të Guajakilit – të shtunën u vendosën 4000 policë dhe ushtarë, të cilët gjatë operacionit sekuestruan armë zjarri, municione dhe lëndë plasëse.
Arsenale që bandat i vendosin anëtarët e tyre pas hekurave për të eliminuar rivalët: më shumë se 400 vrasje janë regjistruar në hapësirën e disa muajve në burgje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



