Futboll

Në fushë ndaj Sllovenisë – Dardanët janë gati për suprizën e rradhës

Nga Gazeta Si – Kosova ka një objektiv – të kërkojë të tronditë sërish Botën e futbollit për herë të dytë brenda 2 muajsh, kur të presë Slloveninë këtë të premte në mbrëmje, në eleminatoren e rradhës për Kupën e Botës.

Dardanët bënë bujë në gjithë Globin në Shtator, pas fitores befasuese ndaj Suedisë, ndërsa sllovenët janë ende në kërkim të fitores së parë, pas një nisjeje jo të mirë të kësaj fushate kualifikuese.

E renditur në vendin e 165-të të FIFA-s më pak se një dekadë më parë, Kosova është ngjitur me hapa të mëdhenj në hierarkinë ndërkombëtare.

Në vendin e 91-të në Botë, Kosova po kalon një vit 2025 fantastik – që përfshin edhe ngjitjen në Ligën e B të “UEFA Nations League”.

Fitorja 2-0 ndaj Suedisë, një skuadre e renditur në vendin e 32-të, i ka ngjitur djemtë e Franco Fodës në vendin e dytë të grupit B, duke mbajtur gjallë ëndrrën e kualifikimit drejt Amerikës së Veriut.

Statistikat flasin vetë: 2 humbje në 11 ndeshjet e fundit, 26 gola të shënuar në fitoret ndaj Islandës, Lituanisë, Qipros – dhe sigurisht, Suedisë.

Nga ana tjetër, Sllovenia po përballet me një fillim të vështirë: një barazim 2-2 në shtëpi ndaj Suedisë dhe një humbje të thellë 3-0 ndaj Zvicrës kryesuese e grupit.

Ekipi i Matjaž Kek shpëtoi me një pikë falë golit të barazimit në minutat e fundit nga Zan Vipotnik.

Në përgjithësi, periudha e fundit nuk ka qenë pozitive për sllovenët – vetëm tre fitore në ndeshje zyrtare që prej fillimit të vitit 2024, dy prej të cilave kundër Kazakistanit.

Këto dy përfaqësuese janë përballur dy herë më parë në ndeshje zyrtare – fitore minimale të Sllovenisë, pothuajse 5 vjet më parë.

Por që atëherë Kosova ka bërë hapa gjigantë përpara – më e pjekur, më e guximshme dhe shumë më e rrezikshme.

Sot në mbrëmje në “Fadil Vokrri”, dardanët do të besojnë se mund të mbajnë gjallë ëndrrën e madhe – dhe të dhurojnë edhe një tjetër surprizë që do të bëjë jehonë në tërë Botën e futbollit.

  • Formacionet e mundshme
    Kosova: Muric; Gallapeni, Aliti, Dellova, Krasniqi, Vojvoda; Muslija, Rexhbecaj, Avdullahu; Rrahmani, Muriqi
    Sllovenia: Oblak; Janza, Bijol, Drkusic, Karnicnik; Lovric, Elsnik, Gnezda Cerin, Stojanovic; Vipotnik, Sesko

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë